Krujë, kapen 400 kilogram tritol, ndalohen transportuesit

24/12/2014 00:00

Policia e Shtetit ka sekuestruar rreth 400 kg lëndë eksplozive si dhe armë e municione gjatë një aksioni të zhvilluar në Fushë Krujë mbrëmjen e së martës.

Gjatë një konference për mediat, nëndrejtori i Policisë së Shtetit për Krimin e Organizuar, Haki Çako, tha se si pasojë e operacionit të koduar “Dinamiti”, janë arrestuar në flagrancë 4 persona: Lulzim Mesi, 26 vjeç, lindur dhe banues në Krujë; Fatos Mesi, 23 vjeç, lindur dhe banues në Krujë; Nezir Mesi, 28 vjeç, lindur dhe banues në Krujë; si dhe Marjan Karaj, 34 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Vlorë.

“Gjatë arrestimit të tyre është sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 armë zjarri kallashnikovë, 20 arka me lëndë plasëse dinamit, gjithsej 2000 kallëpe, me peshë totale 400 kg, 298 kuti me kapsolla elektrodetonatore, gjithsej 5960 copë të tilla, 18 kuti me kapsolla detonatore, gjithsej 1800 copë, 100 metra fitil zjarrpërcjellës”, tha Haki Çako.

Zyrtari i policisë tha se materialet e sekuestruara janë dërguar për provë materiale Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për veprën penale “trafikim të armëve dhe municioneve” dhe “trafikim i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, parashikuar në Kodin Penal.

Top Channel