Rusia paralajmëron NATO-n: Ukraina, një front konfrontimi

24/12/2014 00:00

Moska ka reaguar sërish të mërkurën në lidhje me vendimin e Kievit për të ndryshuar statusin “neutral”, duke synuar kështu lidhje më të ngushta me NATO-n, duke thënë se ky vendim ka qenë rezultat i presionit nga aleanca e Atlantikut Verior, që kërkon të kthejë Ukrainën në një “front të parë të konfrontimit”.

Parlamenti i Ukrainës hoqi dorë këtë javë nga statusi i “mosangazhimit” me synimin për t’iu bashkuar eventualisht NATO-s, marrëdhëniet e së cilës me Rusinë janë përkeqësuar në nivelet më të ulta që prej periudhës së Luftës së Ftohtë, për shkak të krizës në lindje të Ukrainës.

“Vendet e NATO-s kanë shtyrë Kievin drejt këtij vendimi aspak prokuktiv, duke u përpjekur ta kthejnë Ukrainën në një front parësor të konfrontimit me Rusinë”, tha zëvendësministri i Mbrojtjes, Anatoly Antonov, për agjencinë e lajmeve ruse “Interfax”.

“Vendimi i Parlamentit të Ukrainës për të hequr dorë nga statusi i mosangazhimit vetëm sa do të komplikojë një situatë, e cila prej kohësh është e vështirë”, tha ai.

Lëvizja e fundit e Kievit ka irrituar së tepërmi Moskën, në një kohë kur Rusia, Ukraina dhe rebelët prorusë janë në përpjekje e sipër për të gjetur një zgjidhje politike ndaj krizës në lindje të Ukrainës.

NATO dhe qeveria properëndimore në Kiev thonë se kanë prova të mjaftueshme që Rusia ka orkestruar dhe armatosur rebelimin prorus në lindje të vendit, që nisi menjëherë pas rrëzimit të Presidentit ukrainas me lidhje me Moskën, ndërkohë që Kremlini i mohon këto akuza.

Gjithashtu ka ardhur edhe një paralajmërim se Rusia do t’i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme përkeqësimit të marrëdhënieve me NATO-n, nëse Ukraina do të bëhet vend anëtar i aleancës ushtarake.

“Nëse ky vendim i tanishëm do të marrë në të ardhmen karakter ushtarak (me anëtarësimin në NATO), atëherë ne do të përgjigjemi reciprokisht. Atëherë po, që do të kishte një përkeqësim të plotë të marrëdhënieve me NATO-n, gjë që do të ishte praktikisht e pamundur të riparohej”, vijoi më tej Anatoly Antonov, i cituar nga agjencia tjetër “RIA Novosti”.

Top Channel