Kryeministri me gazetarët, ofron darkë “alla Obama”

24/12/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama organizoi të martën në mbrëmje në Pallatin e Brigadave pritjen e fundvitit me gazetarët.

Rreth 200 gazetarë, drejtues e pronarë mediash, ishin prezent në darkën e shtruar nga Kryeministri, i cili kishte marrë formatin “alla Obama” për të shkëmbyer batuta dhe ironi të ndryshme.

“Ky është një format i kopjuar nga Presidenti Obama, i cili takohet me gazetarët, të cilëve u pëlqen vetja më shume se sa ju dhe këtë ma ka thënë vetë Presidenti Obama”, tha Rama. Gazetarët fillimisht flisnin dhe shprehnin mendimet e tyre për veprimtarinë e qeverisë këtë vit. Takimi i fundvitit me mediat i Kryeministrit Rama, nisi me një shfaqje humori, pasi aktori i “Portokallisë”, Florian Binaj, imitoi Edi Ramën për t’ia lënë më pas vendin barsoletave të Filip Çakulit.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se “është privilegj që të kesh një detyrë si e imja që të jep mundësinë fatlume që në prag të Krishtlindjeve të kesh një darkë si kjo me njerëz që të kanë quajtur rrezik diktatorial, frikacak, madje dhe pamoral. Të punosh një vit për reformat dhe t’i tregosh popullit për këto reforma dhe të gëzosh me njerëz që punojnë përditë, që të mos të lënë t’u gëzohesh këtyre reformave”. Duke iu referuar mungesës së disa gazetarëve të ftuar, Rama u shpreh se, “askush prej jush nuk është këtu se ka hyrë në burg, por e ka zgjedhur të mos jetë këtu. Unë nuk kam frikë ta them që jam i lumtur me ju këtu, ndërsa shumë prej jush keni frikë ta thoni që jeni të lumtur me mua këtu”, tha Rama. Duke folur për vizitën e Atit të Shenjtë, Papa Françesku në Tiranë, në shtatorin e këtij viti, Kryeministri Rama tha se, “shumë nga ju këtu keni qejf ta përsërisni që unë jam arrogant, por dhe më arroganti përkrah Papës kthehet në më të voglin, sigurisht nuk mund të flas këtu për paraardhësin tim”.

Sipas tij, “sa më shumë ta marrim veten me shaka aq më shumë kemi mundësi të ecim përpara”.

Top Channel