Çmimi i naftës në pikiatë, për festa ndoshta 20 USD/fuçi

24/12/2014 00:00

Skenarët e çmimit të naftës janë nga më të ndryshmet në këto kohë luhatjesh të mëdha, dhe ai që për konsumatorët mund të jetë ndoshta më optimisti, parashikon tkurrjen e kuotimit për festat e fundvitit deri në nivelin e 20 dollarëve për fuçi.

Që prej mesit të qershorit, “ari i zi” ka rënë nën 60 dollarë për fuçi dhe, sipas një pohimi befasues të ministrit saudit të Naftës, Ali al Naimi, e tatëpjeta e çmimit ka gjasa të vazhdojë.

Al Naimi është mbase figura më e fuqishme e OPEK-ut të dominuar nga arabët. Edhe njëherë ai këmbënguli se prodhimi nuk do të ulet, si mënyrë për të rritur kuotimin, pasi nuk është në interesin e anëtarëve të kartelit të naftës.

“S’ka rëndësi për ne, nëse një fuçi shitet 60, 50, 40 apo edhe 20 dollarë. Madje bota mund të mos e shohë më naftën të mbërrijë në 100 dollarë për fuçi. Nëse Arabia Saudite ul prodhimin, çmimi do të rritet dhe pjesën tonë do ta marrin rusët, brazilianët e prodhuesit e naftës argjilore amerikane”, tha Ali al Naimi, ministër i Naftës në Arabinë Saudite.

Sipas ekspertit të “IHS Energy”, Jamie Hebster, të tilla pohime përbëjnë një ndryshim thelbësor në politikat e OPEK-ut. Kemi hyrë në një kohë të çuditshme për tregun e naftës, – shprehet ai, – dhe do të shohim lëvizje të mëdha; asgjë nuk do të shpëtojë pa u prekur nga kjo situatë.

Mjaft analistë mendojnë, megjithatë, se një çmim i ulët i naftës nuk është sinjal i mirë. Një zhvillim i tillë, – sipas tyre, – bën të harrohet se nafta është një lëndë e parë e kufizuar dhe heq vëmendjen nga përpjekjet për forma më moderne motorësh, e mënyra të reja furnizimi me energji.

Top Channel