Krishtlindja e Papa Françeskut, “lumë kritikash” kardinalëve

24/12/2014 00:00

Nuk ka qenë një fjalim kortezie, ai i Papa Françeskut për Krishtlindje. Ati i Shenjtë shmangu formulimet diplomatike dhe, në një mënyrë jo fort miqësore, vuri në dukje sëmundjet prej të cilave lëngon Kuria, apo administrata e Kishës: etje për pushtet, thashethemet dhe vaniteti.

Të gjitha këto, e madje më shumë thotë “Deutsche Welle”, Papa ia adreson bashkëpunëtorëve me funksione drejtuese: kardinalëve, ipeshkvijve dhe Monsinjorëve.

“Në radhët e Kuries ka njerëz që e kryejnë shërbimin e tyre, vetëm duke menduar se çfarë të marrin dhe jo çfarë duhet të japin. Njerëz meskinë, të palumtur, të cilët drejtohen nga egoizmi i tyre fatal”, është shprehur kreu i kishës katolike.

Për Papën argjentinas, drejtuesit e kësaj të fundit që kërkojnë pushtet, nderime dhe pasuri, janë në vendin e gabuar.

Françesku, së bashku me nëntë kardinalë, po punon për një reformë të Kuries, por – sipas mediave, – ka hasur në një qëndresë të fshehtë, pjesërisht në kritikë të maskuar.

Fjala e tij për Krishtlindje kuptohet si një ndërhyrje nga lart dhe, në të njëjtën kohë, fjalët vlejnë për të gjithë punonjësit e Kishës, e për të gjithë të krishterët.

“Nuk do të marrim me vete asgjë materiale, – ka thënë Ati i Shenjtë. – Kufoma nuk ka xhepa. Të gjitha thesaret tona në këtë botë, edhe dhuratat, nuk e mbushin dot zbrazëtinë e brendshme, përkundrazi, ajo bëhet edhe më e madhe”.

Papa Françesku ka vendosur në Vatikan një kulturë të re për dhuratat, e cila dikton kritikën për kardinalët dhe shpërblimin e të varfërve.

Top Channel