Francë, papunësia në nivele rekord

24/12/2014 00:00

Vështirësitë në të cilat ndodhet ekonomia franceze e dëshmojnë edhe të dhënat e fundit nga autoritetet shtetërore që flasin për një rritje rekord të papunësisë në vend.

Sipas të dhënave, në muajin nëntor 27 mijë e 400 persona iu bashkuan kontigjentit të personave që kërkojnë punë duke e çuar këtë numër në total rreth 3 milion e gjysmë. E përkthyer në përqindje, që nga viti i kaluar, papunësia në Francë është rritur me 5.8 përqind.

Në listën e të papunëve numërohen personat që aplikojnë dhe përfitojnë ndihmë dhe ata të regjistruar në Zyrat e Punës.

Situata bëhet akoma më dramatike nëse merren për bazë të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, të dhënat e të cilës flasin për një papunësi në shifrën e 9.9 përqind të popullsisë aktive për punë të Francës.

Lufta ndaj papunësisë ishte kryefjala në fushatën presidenciale e Francois Hollande, i cili deklaronte atëherë se nëse nuk do arrinte të kishte sukses në këtë luftë, nuk do të rikandidonte për këtë post në zgjedhjet e 2017-ës.

Për 2014 ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës pritet të rritet me vetëm 0.4 përqind, rritje e papërfillshme për të luftuar papunësinë e lartë. Në fillim të dhjetorit, qeveria franceze njoftoi një plan masash për t’u përballur me problemin.

E para ishte rritja e bizneseve që operojnë edhe gjatë fundjavave dhe hapja e disa sektorëve të rinj për të bërë ekonominë më konkuruese.

Nuk ka asnjë garanci se sa do të ndihmojë ky plan masash për të nxjerrë ekonominë nga stanjacioni, aq më tepër se plani ka nxitur protesta në mbarë vendin dhe ka krijuar kundërshtarë edhe brenda vetë radhëve të socialistëve në qeveri.

Top Channel