Kosovë, Thaçi: Vitin e ardhshëm aplikojmë për në KiE

24/12/2014 00:00

Viti 2015 pritet të jetë i ngjeshur për sa i përket axhendës politike të qeverisë së re. Dialogu politik Prishtinë-Beograd dhe krijimi i Gjykatës Speciale janë dy detyrat kryesore që e presin kryeministrin Isa Mustafa në muajt e parë të vitit.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi njoftoi gjatë mbledhjes së qeverise se dialogu me Serbinë në nivel kryeministrash do të nisë në muajin shkurt.

I sapokthyer nga vizitat në Bruksel dhe Strazburg, Thaçi tha se qeveria e Kosovës shumë shpejt do të aplikojë për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Europës.

Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është një tjetër çështje për të cilën Thaçi tha se ka diskutuar me autoritetet e NATO-s.

“Kosova ka plotësuar kriteret për aplikim për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Shpresojmë që kjo të ndodhë në tre muajt e ardhshëm”, deklaroi Thaçi.

E drejtuar nga kryeministri Mustafa, qeveria e Kosovës miratoi disa projekt/dokumente, mes tyre edhe kërkesën e Komunës së Prishtinës për transferimin e mjeteve buxhetore nga kategoritë e shpenzimeve kapitale në kategorinë e subvencioneve dhe transfertave.

Kjo kërkesë është e lidhur me zbatimin e projektit të gjenerimit të energjisë për ngrohjen e qytetit të Prishtinës.

Top Channel