Kosovë, Sindikata e Arsimit kërcënon me grevë

24/12/2014 00:00

Sindikata e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës në Kosovë paralajmëroi të mërkurën qeverinë e re, se nëse nuk rriten rrogat për punonjësit e sektorit të arsimit, ata do të nisin një grevë të përgjithshme që do të paralizojë mësimin në të gjitha shkollat e vendit, fillore e të mesme.

Në një letër dërguar presidentes Jahjaga, kryeministrit Mustafa, kryetarit të Parlamentit dhe ministrave të Arsimit e Financave, sindikata kërkoi që të plotësohen të gjitha detyrimet që dalin nga një seri marrëveshjesh institucionale, konkretisht Marrëveshja e Përgjithshme dhe Kontrata Kolektive e sektorit të arsimit.

“Nëse deri më 9 janar, ju, përfaqësuesit më të lartë të shtetit, nuk reflektoni mbi përmbushjen e këtyre detyrimeve dhe hapjen e dialogut për rritjen e pagave, atëherë më 10 janar Sindikata do të nisë një grevë të përgjithshme në bazë të të gjitha ligjeve që i njihen”, thuhet në letër.

Në mesazhin në fjalë nuk mungon paralajmërimi se, në mungesë të një dialogu do të ndërpritet procesi mësimor në të gjitha shkollat, fillore e të mesme, të Kosovës.

Top Channel