Vrau Bin Laden, komandoja nën hetim për nxjerrje sekretesh

24/12/2014 00:00

Komandoja amerikan që shkaktoi jo pak debate kur mori përsipër publikisht kreditet për vrasjen e kryeterroristit Osama bin Laden, nëodhet nën hetim nga autoritetet amerikane për nxjerrje të sekreteve zyrtare.

Një zyrtar i largë i Shërbimit Hetimor të Marinës, NCIS, ka deklaruar për mediat amerikane se komandoja Robert O’Neill mund të ketë zbuluar informacione të klasifikuara përsonave që nuk janë të autorizuar.

“Si përgjigje ndaj kësaj, NCIS ka nisur një hetim për të verifikuar dyshimet”, ka deklaruar oficeri Ed Buice për portalin amerikan “Daily Beast”.

Në intervista të mëparshme për portalet amerikane, pjesëmarrës të tjerë në operacionin në Abotabad të Pakistanit e akuzuan O’Neill për keqinformim dhe për mashtrim me marrjen e krediteve për vrasjen e atij që dikur ishte personi më i kërkuar në botë.

O’Neill insiston se ishte ai që qëlloi në kokë sheikun e terrorit, por shoku i skuadrës së tij, Matt Bissonnette ka deklaruar të kundërtën. Ndërkohë, të tjerë thonë se autori i të shtënave ndaj sheikut është ende i paidentifikuar.

Megjithatë, është ende e paqartë se kujt O’Neill i ka dhënë informacionet e klasifikuara dhe po ashtu lloji i informacioneve të nxjerra.

Nga ana tjetër, edhe Bossonnette është nën hetim për zbulimin e taktikave të njësive Navy Seal në librin e tij “No Easy Day”, ku tregon dhe operacionin në Abotabad.

Top Channel