Ata janë një grup të rinjsh që kanë vendosur të minimizojnë efektet ndotëse të një prej vatrave më problematike në kryeqytet: Sharra, landfilli që përveç një venddepozitimi është kthyer sot një ndër burimet kryesore të ndotjes në Tiranë.

Një grup studentësh i është bashkuar nismës vullnetare “Mbill Pemën Tënde” duke menduar se Sharra është zona që ka nevojë më shumë se çdokund tjetër të gjelbërohet.

“Të gjitha mbeturinat që nxjerrim nga shtëpitë tona grumbullohen në një vend, në Sharrë. Ky vend ka nevojë për një kurorë të gjelbër e cila do mund që t’i japë deri diku frymëmarrje zonës”, thonë studentët.

Në landfillin e Sharrës depozitohen çdo ditë rreth 1 mijë ton mbetje. Dhe problemi më i madh që e bën këtë një zonë të mbindotur ka të bëjë me keqmenaxhimin e tyre. Rreth një vit më parë, vullnetarisht u mbollën 300 fidanë, të gjithë tashmë të lulëzuar. Dhe jo rastësisht përzgjedhja e të rinjve ishte akacia.

“Është një ndër bimët më të lira dhe nuk kërkon përkujdesje të madhe. Është bimë që forcon dhe ndihmon tokën”, shpjegojnë ata.

Landfilli i Sharrës është në përfundim të ciklit grumbullues dhe këta të rinj po ideojnë transformimin e venddepozitimit të mbetjeve: “Nuk po themi që do zhdukim ndotjen në Sharrë apo që do e pastrojmë atë, por po bëjmë një përpjekje minimale për të mos treguar indiferencë ndaj atij vendi që jo vetëm është më i  ndoturi në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.”

1000 akaciet e mbjella së fundmi në Sharrë synojnë që vendin e përdorur si grumbullim mbeturinash qysh para viteve ’90 ta kthejnë në një hapësirë të gjelbëruar.

Top Channel