SHBA, përleshje polici-protestues në St. Luis

24/12/2014 00:00

Policia amerikane është përleshur me protestuesit në Misuri, pasi një oficer qëlloi për vdekje një adoleshent me ngjyrë, fare pranë vendit ku bashkëmoshatari i tij Michael Brown ishte qëlluar në muajin gusht.

Nga 200 deri në 300 persona u mblodhën në vendin e ngjarjes pas incidentit dhe hodhën gurë ndaj forcave të policisë të pranishme atje. Zyrtarët lokalë deklaruan se katër protestues janë arrestuar për agresion ndaj agjentëve të policisë.

Një prej tyre, i identifikuar si Orlando Brown, tha për agjencinë e lajmeve “AP” se, “Unë e kuptoj që agjentët e policisë duhet të bëjnë detyrën, por a duhet të zgjidhin çdo situatë duke përdorur forcë fatale?”.

“Këtu nuk bëhet fjalë për çështje racash, i bardhë apo me ngjyrë, por për gjënë e duhur dhe atë të gabuar”, deklaroi Brown.

Më herët, një turmë prej rreth 100 personash ishte mbledhur në vendin e ngjarjes, në lokalitetin St Luis, vetëm pak orë pas ngjarjes. Mediat lokale e identifikuan të riun e vrarë me emrin Antonio Martin, 18 vjeç, duke cituar të ëmën e tij.

Policia e kontesë St Luis deklaroi se adoleshenti i qëlluar të martën kishte nxjerrë një armë teksa ndodhej në një pikë karburanti dhe ia kishte drejtuar atë agjentit të policisë.

Shefi i policisë së St Luis, Jon Belmar deklaroi se oficeri iu përgjigj një njoftimi për grabitje dhe kur mbërriti tek pika e karburantit pa dy personat.

Belmar shtoi se një nga personat në fjalë drejtoi një armë zjarri ndaj oficerit dhe ky i fundit u detyrua të përgjigjej me tre të shtëna, njëra prej të cilave goditi 18-vjeçarin.

“Oficeri u përgjigj me atë që mendoi se ishte forcë e barabartë në ato momente”, vijoi koloneli Belmar, për të shtuar se, “të gjithë ne do të ndiheshim në rrezik për jetën në një situatë të tillë”.

Top Channel