Basha: Fillimi i fundit të kriminalizimit. PD, në ballë të betejës qytetare

24/12/2014 00:00

Duke përshëndetur miratimin e rezolutës në Parlamet, kreu i opozitës Lulzim Basha thotë se kjo do të sjellë një demokraci funksionale dhe të shëndetshme, të mbështetur në vlerat dhe virtytet më të mira.

Gjashtë muajt e bojkotit, në këndvështrimin e shefit të opozitës u përdorën nga shumica si një lajthitje për të qeverisur pa opozitë, ose me një opozitë fasadë.

“Pa asnjë dilemë se e vetmja alternativë për Shqipërinë dhe shqiptarët është demokracia funksionale e modelit europian, Partia Demokratike dhe opozita vendosën gjashtë muaj më parë ndërprerjen e marrëdhënieve me Kuvendin, si një veprim i domosdoshëm për të ekspozuar qartë dhe bindshëm në sytë e opinionit të brendshëm dhe ndërkombëtar të vërtetën tronditëse,  të një Kuvendi të kriminalizuar me vetëdije nga krerët e mazhorancës aktuale”, ka deklaruar Basha.

Rezoluta e votuar, sipas Lulzim Bashës, përfaqëson kuadrin e qartë të parimeve dhe angazhimeve të përbashkëta shumicë-opozitë.

“Së pari, për normalizimin e jetës parlamentare përmes zbatimit sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rishikimit të rregullave në lidhje me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore, bazuar në praktikat më të mira  ndërkombëtare. Së dyti, për të punuar së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Parlamentit dhe Komisionit Europian për dekriminalizimin e Kuvendit dhe institucioneve të tjera të qeverisjes. Zbatimi i rezolutës po kështu do të monitorohet prej tyre në vazhdimësi. Në vlerësimin tim dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kjo është një ngjarje më rëndësi të madhe për jetën politike, parlamentare dhe shoqërore të Shqipërisë”, ka theksuar Basha.

Frytet e saj, vijoi kreu i opozitës, do të duken  menjëherë dhe në vijimësi, në vartësi të  seriozitetit, shpejtësisë dhe cilësisë së zbatimit të masave të gjithëpranuara. “Ne jemi të vetëdijshëm se rezoluta nuk është fundi, por vetëm fillimi i punës dhe përpjekjeve për zbatimin e saj”, nënvizoi Basha.

Top Channel