Nishani uron Krishtlindjen: Të lemë mënjanë ndasitë e të bashkojmë forcat

24/12/2014 00:00

Presidenti i Republikës Bujar Nishani u ka uruar Krishtlindjen të gjithë
besimtarëve të krishterë shqiptarë, kudo ku ata jetojnë dhe punojnë.

“Dita simbol e lindjes së Krishtit dhe e farkëtimit të besimit në Zot, lind sërish në zemrat e mbarë besimtarëve të krishterë ndjenjat dhe përjetimet e gëzimit e të shpresës për një të ardhme të ndritur, ku të gjithë bashkojnë përpjekjet për të përsosur vlerat më të larta e më fisnike njerëzore. Sot ne urojmë familjarët, të afërmit, miqtë, të njohurit ashtu siç kemi bërë prej shekujsh e në të njëjtën mënyrë që kemi trashëguar brez pas brezi si shqiptarë, duke kremtuar të gjithë së bashku festat e njëri-tjetrit në vazhdën e traditës sonë të vyer e të rrallë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare”, shprehet Nishani në mesazhin e tij.

Presidenti më tej kujton edhe njerëzit në nevojë, të sëmurët, të braktisurit.

“Në këtë ditë të bekuar, mendja na shkon dhe zemrat tona rrahin për njerëzit fatkeqë, të cilët kanë më shumë nevojë për ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore: për ata që ndihen të vetmuar, të braktisur, të pamundur e të sëmurë, për ata që kanë humbur përkohësisht shpresën dhe besimin tek e ardhmja duke u përpjekur sadopak t’ua rikthejmë ato e t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet.Kremtimi i Krishtlindjes na ofron një mundësi të mirë për të rritur solidaritetin tonë njerëzor duke i uruar shoqi-shoqit jo vetëm shëndet dhe begati, por edhe duke u përpjekur së bashku si komb për t’i arritur dhe jetësuar ato për të gjithë pa dallim”, thotë kreu i Shtetit.

Si një ditë të shënuar, Nishani kujton vizitën e Atit të Shenjtë në Shqipëri si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

“Të lemë mënjanë ndasitë e përkohshme e të bashkojmë forcat, energjitë dhe mençurinë, me urimin që Zoti do të vazhdojë ta bekojë Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugëtimin tonë të pandalshëm drejt begatisë e përparimit, si dhe për t’u bërë pjesë e denjë e familjes së madhe evropiane”, uron Presidenti.

Top Channel