Lista e dëshirave për Babagjyshin

24/12/2014 00:00

“I dashur Babagjysh ! Unë për Vitin e Ri dua një kukull me biberon, me gjëra për t’u larë dhe me veshje për kukullën. Dua një mikrofon për të kënduar dhe një kuzhinë.”

Edhe ata që nuk dinë ende të shkruajnë e kanë bërë listën e tyre të dëshirave. Prej dy javësh, në një nga kopshtet e Tiranës, fëmijët kanë ngjitur tek bredhi porositë që kanë për Babagjyshin dhe më në fund ai ka ardhur për të plotësuar dëshirat.

Në shkolla, shkrimi i letrës së dëshirave është dhënë si detyrë shtëpie. Edhe nëse prindërit kanë harruar apo neglizhuar këtë ritual, ata duhet të kujdesen që letrën për Babagjyshin ta vendosin në vendin e duhur. Por, pavarësisht kësaj, fëmijët i kanë përcaktuar me kohë dëshirat që kanë për dhuratat.

“Dua doreza portieri dhe një kokore siç e ka portieri i Chelsea-t që të mos më vritet koka kur të hidhem”, thotë një djalë.

Mësueset tregojnë së kërkesat janë nga më të ndryshmet: “Teknologjia ka bërë të vetën dhe kërkesat janë rritur. Kërkojnë tableta, laptop, disqe me lojëra. Shumë pak kërkojnë kukulla apo makina. Ecin me kohën.”

Përgjithësisht, të gjithë marrin atë çfarë kanë kërkuar nëse nuk e kanë ekzagjeruar vërtet kërkesën e tyre. Megjithatë, edhe nëse kërkesat nuk realizohen, për fat të mirë, përgjegjësinë e mban Babagjyshi.  

“Të lutem, mos ma ndrysho dhuratën. Me dashuri, Enio !”

Top Channel