Avioni luftarak jordanez bie në territoret e ISIS-it, peng piloti

24/12/2014 00:00

Një pilot i forcave ajrore jordaneze ka rënë në duart e militantëve të ISIS-it pas rrëzimit të avionit të tij ushtarak në rajonet veriore të Sirisë.

Grupi ekstremist njoftoi se ka rrëzuar avionin luftarak pranë qytetit të Raqqa-s, kryeqyteti ‘de facto’ i xhihadistëve, me anë të një rakete tokë-ajër të orientuar me anë të nxehtësisë. Menjëherë pas këtij njoftimi ISIS publikoi në internet foto dhe video nga momenti i kapjes së pilotit jordanez.

Rrëzimi dhe rënia peng e pilotit është konfirmuar edhe nga Jordania, njëri prej katër vendeve arabe që i janë bashkuar koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it.  Autoritetet jordaneze nuk thanë emrin e pilotit, por mediat thonë se piloti është 26-vjeçari, Moaz Youssef al-Kasasbeh, Lejtnant i Forcave Ajrore, që u konfirmua më vonë edhe nga babai i 26-vjeçarit.

“Gjatë një misioni të disa avionëve luftarakë të Forcave Ajrore Mbretërore të Jordanisë kundër organizatës terroriste ISIS, një avion u rrëzua pranë Raqqa-s dhe piloti u mor peng”, thuhej në deklaratën e ushtrisë jordaneze.

Pavarësisht pretendimeve të militantëve se janë ata që kanë rrëzuar avionin, si Uashingtoni ashtu edhe Jordania deklaruan se ende nuk e dinë me saktësi se çfarë e rrëzoi avionin dhe nuk përjashtojnë mundësinë që mjeti të ketë rënë edhe për shkak të një defekti teknik.

Pas këtij incidenti, vendet anëtare të koalicionit pritet të takohen për të rivlerësuar rrezikshmërinë e ISIS-it dhe arsenalit të tij luftarak.

Që prej 22 shtatorit, kur edhe nisi fushata ajrore kundër ekstremistëve e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, janë ndërmarrë 798 sulme të konfirmuara në Irak dhe 554 në Siri.

Top Channel