Modernizimi i shërbimit zjarrfikës, Rama e Tahiri në repartin e Tiranës

24/12/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në godinën e rikonstruktuar të Repartit të Zjarrfikësve në Tiranë, u shpreh se njerëzve që luftojnë me zjarrin dhe shpëtojnë jetë po u rikthehet dinjiteti i munguar. Për kryeministrin, Policia e Shtetit po rilind falë modernizimit.

“Këtë vatër që ishte rrezik zjarri në vetëvete e kemi kthyer në një qendër dinjitoze zjarrfikësish dhe këtyre njerëzve që punojnë në kushtet më të vështira u kemi kthyer jo vetëm kushtet e duhura, por edhe dinjitetin. Nga ana tjetër përgëzoj publikisht ministrin e Brendshëm që paralelisht me punën e përditshme, në krye të një beteje pa kompromis me krimin, vazhdon të udhëheqë një proces modernizimi e transformimi rrënjësor, struktural dhe logjistik për Policinë e Shtetit”, deklaroi Rama.

Financimi i godinës së Repartit Zjarrfikës më të madh në vend është bërë nga një donacion i qeverisë turke, të cilën kryeministri e vlerësoi gjatë fjalës së tij. Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se gjithçka bëhet për t’iu dhënë sa më shumë siguri qytetarëve.

“Janë mijëra euro që i kushtojnë shtetit për shkak të ngjarjeve që kanë të bëjnë me shpëtimin e njerëzve ose zjarrin. Ndaj kjo shënon pikën kulmore të vëmendjes së qeverisë për zjarrfikësit, për të krijuar një standard të ri në raport me qytetarin”, tha Tahiri.

Në këtë takim, kryeministri Edi Rama krahas basketbollit shpalosi një tjetër talent, atë në ping-pong duke fituar duelet me ministrin Tahiri dhe prefektin e Tiranës, Sadi Vorpsi.

Top Channel