Shkup, PDSH kundër ligjeve për administratën: Penalizojnë MO-në

24/12/2014 00:00

Partia Demokratike Shqiptare akuzoi qeverinë në Maqedoni se përmes projekt/ligjeve për nëpunësit administrativë dhe të punësuarit në sektorin publik, po tenton të mbyllë dyert e institucioneve të shtetit për shqiptarët.

Deputetët e kësaj partie opozitare kanë dorëzuar mbi 30 amendamente për të ndryshuar këto projekt/ligje dhe për të mos lejuar që administrata të monopolizohet nga pala maqedonase.

Me amendamentin e parë, deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu kërkoi që drejtori i Agjencisë për Administratën të detyrohet me ligj që krahas maqedonishtes të përdorë edhe gjuhën shqipe. Por ky amendament u hodh poshtë pasi deputetët maqedonas votuan kundër.

“Kjo qeveri, BDI dhe VMRO, po e bën të vdekur Marrëveshjen e Ohrit dhe pamundëson përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore. Me këtë ligj ju thoni që shqiptarët gjuhën shqipe mund ta përdorin vetëm në shtëpi. Shteti është ai që duhet të flasë shqip, sepse ky është realiteti në këtë shtet ku jetojnë 30% shqiptarë”, deklaroi Fazliu.

Përfshirjen e gjuhës shqipe në ligjet për të punësuarit në administratë dhe sektorin publik e kundërshtoi ministri për Administratën, Ivo Ivanovski, me arsyetimin se një gjë e tillë do të krijonte paqartësi tek qytetarët.

“Në Maqedoni ka një ligj për përdorimin e gjuhëve nga pjesëtarët e bashkësive etnike jo shumicë. Prandaj, nuk ka nevojë që të ndërhyjmë në ligje të tjera sepse mund të shkaktojmë probleme shtesë dhe të hutojmë qytetarët”, deklaroi Ivanovski.

Ndonëse kanë mbështetur nevojën për sjelljen e ligjeve për të punësuarit në administratë, deputetët shqiptarë të BDI-së thanë se tani kanë vërejtje për projekt/ligjet që ka propozuar qeveria.

“Kam përkrahur projekt/ligjin në seancën kuvendore që të kemi mundësi të bëjmë edhe ndryshime në të. Edhe unë kam vërejtjet e mia dhe në seancën plenare do të ndërhyj me amendamente”, deklaroi deputeti Rafiz Aliti. Ligji për nëpunësit administrativë dhe të punësuarit në sektorin publik pritet të hyjë në fuqi në muajin shkurt të vitit 2015.

Top Channel