Kthimi i PD në Kuvend, Berisha: Fitore historike. Balla: Gëzon për mandatin

24/12/2014 00:00

Duket se janë disa arsyet përse ish-kryeminstri Sali Berisha nuk evitoi dot deklaratën menjëherë pas përfundimit të seancës parlamentare, por njëra u pa qartë: nevoja për të përligjur përfundimin e bojkotit të opozitës.

“Kjo është ditë historike për demokracinë, sepse për herë të dytë në 23 vjet PD shpëton nëpërmjet një marrëveshjeje demokracinë parlamentare të vendit”, deklaroi Berisha.

Me një sqarim të gjatë, përse ky bojkot nuk ishte i ngjashëm me shumë të tjerë përpara tij, i mbështetur, siç tha ai edhe nga institucionet e BE, për të balancuar vëmendjen nga tema e rikthimit në Parlament, Berisha rimori një akuzë që pati artikuluar pak kryetari i grupit të PD.

“Rama pas kthimit nga Brukseli i ka thënë zotit Meta se, ‘më kërkuan arrestimin tuaj’ mbi bazën e dosjes që ka dorëzuar vetë zoti Rama. Pas kthimit nga Gjermania i ka thënë të njëjtën gjë dhe i ka thënë të vërtetën. Edi Rama duket se ka një dosje më të plotë për Ilir Metën, pasi ndryshe, nëse dosja nuk do ishte shqyrtuar nga ekspertë ndërkombëtarë të shquar, askush nuk do mund të kërkonte arrestimin e zotit Meta”, tha Berisha, për të shtuar gjithësesi se për këtë nuk ka asnjë fakt.

Por për mazhorancën është e qartë se bojkoti i opozitës nuk kishte arsye dhe marrëveshja u gjet si instrument për të mos djegur mandatet e opozitës, i pashkëputur ky tolerim i mazhorancës edhe nga atmosfera në prag festash.

“Do kishte qenë e pafalshme që të digjej mandati i zotit Berisha, megjithëse ndoshta do kishim marrë një nismë në Parlament për një seancë të jashtëzakonshme për t’i dhënë atij një pension të veçantë, për të festuar i qetë këtë vit të ri. Gëzuar edhe deputetëve të PD që u çliruan nga një makth, që në këto 23 vjet ka qenë Sali Berisha”, deklaroi deputeti i PS, Taulant Balla.

Top Channel