Nishani përshëndet rezolutën e miratuar në Parlament

24/12/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka vlerësuar rezolutën e miratuar të mërkurën unanimisht në Kuvend, duke e cilësuar një akt që dëshmon pjekuri politike tek të gjitha palët.

Duke përshëndetur vullnetin e mirë për të rikthyer normalitetin në jetën parlamentare të vendit, kreu i shtetit u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që t’u përmbahen dhe t’i zbatojnë me besnikëri angazhimet e ndërmarra.

“Ky është një hap pozitiv në vigjilje të vitit të ri, gjatë të cilit qytetarët shqiptarë presin nga klasa politike më shumë punë për zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre”, ka thënë Nishani.

Sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga selia e Presidencës, Nishani ka vlerësuar gjithashtu angazhimin dhe vëmendjen në rritje që Bashkimi Europian po i kushton zhvillimeve politike në Shqipëri.

“Posaçërisht vlerësoj rolin shumë të dobishëm të eurodeputetëve që u angazhuan për normalizimin e jetës parlamentare në vend”, ka vlerësuar më tej Nishani.

Top Channel