Besimtarët e krishterë kremtojnë lindjen e Krishtit

25/12/2014 00:00

Krishti lindi. Për besimtarët e krishterë në mbarë botën, 25 dhjetori është dita më e shënuar e këtij besimi, lindja e birit të Perëndisë. Mijëra besimtarë katolikë u mblodhën në mesnatë në Katedralen e “Shën Palit” në kryeqytet, për të kremtuar momentin e rëndësishëm të kalendarit kristian.

Mesha e shenjtë e Krishtlindjes u mbajt nga Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkvi Metropolit i Dioqezës Tiranë-Durrës, i cili i uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe, mirësi dhe dashuri me njëri-tjetrin.

“Ju ftoj të gjithëve që të falënderojmë Zotin në radhë të parë, dhe t’i kërkojmë Atij falje për fajet e gabimet tona. Shpesh herë, rrugëtimi i popujve është rrugëtim nëpër errësirën e vuajtjes, të dhunës, të padrejtësisë dhe të varfërisë. Le të mendojmë vuajtjet e gjata të popullit tonë, që vijojnë edhe sot edhe pse në formë të ndryshme e me shpresë më të qartë. Shpresat e njerëzve janë shpresa që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, e cila nëse nuk del në dritë zhytet në errësirë edhe më të dendur”, u shpreh Imzot Rrok Mirdita.

Katedralja e Shën Palit në Tiranë u mbipopullua nga besimtarët. Jashtë saj, ata kanë pritur në radhë për të bërë ritualet, për këtë ditë të lutjes, ndezjes së qirinjve dhe faljes.

Krishtlindja është festa kur të krishterët urojnë për më shumë paqe e dashuri në të gjithë botën.

* Ndërkohë, mesha në Kishën Ortodokse u mbajt në orët e para të ditës së sotme, kur besimtarët ortodoksë mbushën Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, për të festuar një prej ditëve më të shënuara në kalendarin kristian, Lindjen e Krishtit.

Mesha u drejtua nga Kryepeshkopi i Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, të cilën e ka mbajtur pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në greqisht.

Me rastin e festës së Krishtlindjeve, drejtuesit e Kishës Ortodokse, asaj Katolike si dhe Vëllazërisë Ungjillore shqiptare uruan besimtarët. Në mesazhet e tyre, përfaqësuesit e komuniteteve fetare apeluan që të gjithë të kontribuojnë për bashkëjetesën dhe paqen.

Anastas Janullatos:
Le të kremtojmë Krishtlindjen duke marrë frymëzim, besim dhe shpresë për kapërcimin e problemeve tona, personale e sociale. Gëzuar Krishtlindjen!

Imzot Rrok Mirdita: Shumë të dashur vëllezër e motra, secili nga ju e ka ndezur një qiri për t’ju mbushur me gëzim dhe për t’ju udhëhequr drejt takimit me Krishtin. Ai ndriçoftë sot e përgjithmonë jetën tuaj dhe të familjeve tuaja. Për shumë vjet Krishtlindjet dhe gëzuar Vitin e Ri 2015!

Ali Kurti, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore:
Në emër të Vëllazërisë Ungjillore përshëndes të krishterët ungjillorë, gjithë të krishterët dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Gëzuar! Mesazhi i Krishtlindjes është një mesazh për Perëndinë, për Jezu Krishtin, për mirëkuptimin, faljen dhe shpresën.

Top Channel