Papa Françesku: Perëndia është më e fortë sesa errësira

25/12/2014 00:00

Mijëra katolike e kremtuan natën e Krishtlindjeve në katedralen e famshme të Shën Pjetrit në Romë. Papa Françesk e përdori meshën e mesnatës për t’i përcjellë të gjithë besimtarëve një mesazh të qartë: nevojën për më shumë dhembshuri.

Kreu i 1,2 miliardë katolikëve në mbarë globin kritikoi mungesën e humanitetit në botën e sotme.

“Të dashur vëllezër e motra, në këtë natë të shenjtë ne kujtojmë skenën e lindjes së Krishtit: aty, njerëz që ecën në errësirë panë një dritë të madhe. Njerëzit e thjeshtë e pa pretendime, të hapur të pranojnë dhuratën e Zotit, ishin ata që e panë këtë dritë. Një dritë të cilën nuk e panë nga ana tjetër arrogantët, fodullët, ata që ligjet i bënin sipas kutit të vet, ata ishin mbyllur për të tjerët”, tha Papa. 

Fëmijë nga Italia, Koreja dhe Filipinet, vende që Papa argjentinas i ka vizituar apo do t’i vizitojë së shpejti, shoqëruan kreun e Kishës Katolike gjatë hyrjes në katedrale dhe vendosën lule para një figure të Krishtit fëmijë. Përpara meshës, Ati i Shenjtë i telefonoi disa refugjatëve katolikë në një kamp në Irakun e Veriut.

Mijëra vetë janë strehuar në kampin pranë qytetit të Irbilit pasi morën arratinë nga dhuna e ekstremistëve të Shtetit Islamik. “Të dashur vëllezër, unë jam me gjithë zemër, shumë pranë jush”, ka thënë Françesku. Papa 78-vjeçar shkaktoi më herët reagime të forta me kritikat drejtuar burokracisë dhe etjes për pushtet brenda Kurias.

Ati i Shenjtë renditi 15 sëmundje të Kishës Katolike, duke përmendur sidomos “sklerozën shpirtërore” dhe “dëshirën për pushtet” të shumë shërbyesve të lartë të Kishës Katolike. Plot pelegrinë të krishterë nga e gjithë bota kremtuan nga ana tjetër meshën e Krishtlindjeve në Betlehem. Në predikimin e tij, patriarku latin Fouad Tëal i kërkoi hebrenjve, muslimanëve e të krishterëve të “jetojnë së bashku si të barabartë”.

Duke iu referuar dhunës në Gaza e Jeruzalem, ai tha se uron që 2015 të jetë më e mirë se viti i vështirë që po lëmë pas.

Më herët, besimtarët mbushën sheshin e Grazhdit për të parë procesionin e drejtuar nga patriarku Tëal. Mesha e mesnatës u mbajt siç e do tradita në Kishën e Lindjes së Krishtit, e ngritur mbi vendin ku të krishterët besojnë se Jezui erdhi në jetë.

Top Channel