Konflikti në Ukrainë, përfundojnë pa marrëveshje bisedimet në Minsk

25/12/2014 00:00

Bisedimet për paqe mes Kievit dhe përfaqësuesve të rebelëve lindorë pro-rusë kanë përfunduar pa ndonjë progres dhe nuk ka pasur ndonjë datë për takimin e ardhshëm, megjithëse mediat ruse shkruajnë se palët do të takohen sërish të premten.

Njoftimi është dhënë nga rebelët pas rreth 5 orë bisedimesh. “Ka qenë një takim i vështirë”, tha përfaqësuesi i republikës së vetëshpallur të Donetsk-ut, Denis Pushilin.

Raundi i ri i bisedimeve në Minsk të Bjellorusisë synonte dhënien fund të konfliktit në lindje të Ukrainës, që deri tani ka lënë të vdekur rreth 4.700 persona.

Takimi, ku morën pjesë përfaqësues të rebelëve pro-rusë, të qeverisë ukrainase, asaj ruse dhe të faktorit ndërkombëtar, u fokusua kryesisht në tërheqjen e trupave dhe shpërndarjen e ndihmave, por nuk pati asnjë rezultat.

Sipas mediave ruse, bisedimet e së premtes do të përqendrohen në tërheqjen e armëve të rënda nga vija e frontit, shkëmbimi i të burgosurve dhe dhënia fund e bllokadës ekonomike në zonat ukrainase të kontrolluara nga rebelët.

Një armëpushim dhe një projekt për paqen u arrit në Minsk në shtator, por deri tani asnjë prej proceseve nuk është mbikëqyrur sa duhet.

Në prag të bisedimeve të fundit, parlamenti ukrainas votoi për të punuar drejt anëtarësimit të vendit në NATO, lëvizje kjo që nuk u mirëprit nga Moska zyrtare.

Ministri rus i Mbrojtjes, Anatoly Antonov deklaroi të mërkurën se lëvizja do t’i komplikojë më shumë problemet dhe akuzoi vendet anëtare të Aleancës se po përpiqen ta kthejnë Ukrainën në një vijë fronti të përplasjeve me Rusinë.

Megjithatë, në bazë të kritereve të zgjerimit të Aleancës, ka pak gjasa që NATO ta pranojë Ukrainën për sa kohë konflikti në territorin e saj mbetet i pazgjidhur.

Top Channel