Spanjë, Mbreti dënon korrupsionin në mesazhin e Krishtlindjes

25/12/2014 00:00

Mbreti i ri i Spanjës, Felipe VI, ka dënuar korrupsionin në vend në mesazhin e tij të parë të urimit të Krishtlindjes, por nuk përmendi direkt motrën e tij, e cila do të dalë para gjyqit për evazion fiskal.

Princesha Kristina dhe bashkëshorti i saj Inaki Urdangarin akuzohen për përvetësimin e miliona eurove nga fondet publike. Hetimi ndaj Princeshës nisi në vitin 2010 dhe është një nga arsyet që babai i saj, Juan Carlos, abdikoi nga froni në qershor.

Mbreti Felipe tha në fjalimin e tij se figurat publike nuk meritojnë “të përfitojnë apo të pasurohen” për shkak të detyrës që kryejnë.

“Nuk duhet të ketë asnjë favorizim për ata që mbajnë poste me përgjegjësi publike”, tha ai.

Spanja ka pasur vitet e fundit shumë raste korrupsioni të politikanëve, përfshirë rastin e Rodrigo Ratos, ish-kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Top Channel