Mesha e Krishtlindjes në Prishtinë

25/12/2014 00:00

Mesha për lindjen e Krishtit mblodhi qindra besimtarë katolikë në Katedralën “Nëna Terezë” të Prishtinës mesnatën e së mërkurës. Mesha u drejtua nga Kryeipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili tha se shqiptarët në asnjë moment nuk e harruan Krishtin.

“Sa të shumta janë dëshmitë e nxënësve, por edhe burrave dhe grave të shenjta për këtë dashuri kaq të madhe që e ndërtoi Jezu Krishti. Burrat dhe gratë e kanë hapur zemrën e vet për ta pranuar këtë dashuri, kanë vëzhguar me kujdes për të dëgjuar dhe për të mësuar se çfarë është lajmi i mirë i kësaj fjale që vjen nga qielli me dashuri dhe guxim, por edhe në jetë e kanë dëshmuar Krishtin shpëtimtar duke kremtuar këngën e dashurisë”, tha Kryeipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës.

Më tej, iu drejtua të pranishmëve duke u thënë se askush nuk do të mund t’i ndajë nga dashuria që kanë për Jezu Krishtin. Ai shtoi se dashuria në mes njerëzve duhet të mbizotërojë në botë: “Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushteti, as e tashmja e as e ardhmja, as fuqitë e as forcat e lartësisë, as ato të humnerës dhe asnjë krijesë tjetër nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së hyjnisë që na u ndërtuan në Jezu Krishtin, zotin tonë.”

Para meshës, në Rezidencën e Ipeshkvisë u bë pritja tradicionale solemne, në të cilën morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa, zyrtarë tjerë shtetëror, ambasadorët e akredituar, zyrtarë ndërkombëtarë në vend dhe qytetarë të shumtë.
 

Top Channel