Krerët e shtetit urojnë ditën e Krishtlindjeve

25/12/2014 00:00

Drejtues institucionesh, politikanë, diplomatë e drejtues të komuniteteve të tjera fetare kanë ndjekur këtë të enjte ritualin e çdo feste fetare në vend.

Ata kanë uruar nga Kisha Ortodokse dhe Katedralja besimtarët e krishterë. Mesazhi ishte për të gjithë shqiptarët, më shumë harmoni, solidaritet, dashuri e bashkim.

“Edhe njëherë gëzuar! Urimet më të mira për besimtarët shqiptarë kudo që janë. Paçin gjithmonë mirësi”, u shpreh presidenti Bujar Nishani.

“Në këtë ditë do të uroja gjithë besimtarët e krishterë, por edhe gjithë popullin shqiptar, mbarësi për të gjithë! Shumë urime, bekime e gëzime në familjet e tyre dhe në gjithë shoqërinë tonë”, tha kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Besimtarët e krishterë janë uruar edhe përmes vizitave në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet. “Do të drejtoj një lutje ku shpresoj të bashkohen të gjithë besimtarët shqiptarë, që edhe ne të kemi një kardinal shqiptar. Edhe njëherë gëzuar dhe Krishtlindje të bukura e të mbara”, vijoi presidenti Nishani.

Festa e Krishtlindjes është një nga kremtet më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera. Çdo 25 dhjetor kujtohet lindja e shpëtimtarit Jezu Krisht.

Top Channel