Çmimi i ri i energjisë elektrike, ERE bën sot publike tarifën

25/12/2014 00:00

Enti Rregullator i Energjisë pritet të zyrtarizojë sot çmimin e ri të energjisë elektrike që konsumatorët do të paguajnë nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Zyrtarisht Enti ka qenë hermetik, pasi sipas ligjit nuk mund të lëshojë asnjë informacion para shpalljes së vendimit. Por Top Channel ka arritur të mësojë nga burime konfidenciale variantin e ri të tarifave, që me gjasa institucioni rregullator pritet të miratojë.

Sipas tij, çmimi i energjisë për familjarët pas 1 janarit pritet të luhatet nga 9.3 në 9.6 lekë për kilovat/orë, ku niveli më i mundshëm edhe pse ende jo zyrtar është ai i 9.5 lekëve për kilovat.

Aktualisht çmimi i energjisë për familjarët është i përshkallëzuar me dy nivele, ku 300 kilovat/orët e para paguhen me 7.7 lekë, ndërsa sasia sipër këtij niveli konsumi tarifohet me 13.5 lekë.

Nga 1 janari skema ndryshon dhe pavarësisht nivelit të konsumit, çmimi do të jetë unik në rreth 9.5 lekë për kilovat.

Ky çmim është dukshëm më i ulët nga niveli prej 12 lekë që patën kërkuar tre kompanitë publike të sistemit, KESH, OST dhe OSSHE. Por sërish ai e rëndon faturën e energjisë për pjesën dërrmuese të familjeve shqiptare.

Top Channel