Këshillat e Euralius për reformën në drejtësi

25/12/2014 00:00

“Duhet reformë në drejtësi”. Kjo është një fjali e përdorur rëndom vitet e fundit. Por çfarë mendon Euralius 4, një mision që ka nisur nga puna në shtator, ku duhet të fokusohet kjo reformë?

Në një raport të shpërndarë institucioneve, Euralius mendon se ka ardhur koha që të ngrihet një gjykatë disipline në mënyrë që të kontrollojë sjelljet e gjyqtarëve, por edhe të anëtarëve të KLD-së.

Më tej, për të minimizuar zvarritjet e gjyqeve është e nevojshme që të sqarohet me ligj togfjalëshi “gjyqi shtyhet për shkaqe të arsyeshme”.

Ekspertët ndërkombëtarë të Euralius mendojnë se një strategji antikorrupsion është pikënisja e gjithçkaje. Një alternativë e sugjeruar prej tyre është që Byroja Kombëtare e Hetimit të jetë sipas modelit të USKOK të Kroacisë, një vend ky që surprizoi në të drejtën penale me arrestimin e ndjekjen penale të ish-kryeministrit Ivo Sanader.

Por që kjo byro të jetë efikase ka disa pyetje që duhet të zgjidhen, thonë ekspertët, sikurse është roli i prokurorisë në të, kontrolli nga gjykata i veprimeve të akuzës, sistemi i rotacionit dhe kontrolli i njësisë antikorrupsion, por edhe kuadri ligjor që garanton pranueshmërinë e provave në gjykatë.

Nga ana tjetër, sipas raportit, nevojiten përpjekje të mëtejshme për ndarjen korrekte të veprës penale të pastrimit të parave, ndërkohë që hetimet proaktive mbi pasurinë e pajustifikuar duhet të rriten. Për këtë propozohet një bashkëpunim ndërinstitucional dhe aftësi teknike në hetimin e krimeve financiare.

Megjithëse fluksi i dosjeve hetimore është në rritje, efiçenca dhe llogaridhënia është rritur. Por për të luftuar korrupsionin, mendon Euralius, është e nevojshme një prokurori funksionale. Për këtë duhet të ketë prokurorë të pavarur në vendimmarrje, zbatim parimesh të njëjta dhe forcimi të rolit të Këshillit të Prokurorisë.

Duke qenë se paga neto e një gjyqtari në shkallën e parë është 585 euro dhe i Apelit 892 euro, misioni mendon se duhet të ndiqen praktikat më të mira botërore, që do të thotë se duhet rritur buxheti për gjyqësorin deri në tre për qind të buxhetit të shtetit, për ta përdorur si një instrument kundër korrupsionit në gjyqësor.

Në lidhje me KLD-në, Euralius mendon se nuk ka rregulla të qarta për llogaridhënien e tij si trupë kolegjiale. Por këshillat gjyqësore duhet të jenë me të përgjegjshëm duke paraqitur raporte për veprimtarinë e tyre, ku edhe duhet të tregojnë parimet që kanë ndjekur dhe rezultatet që kanë arritur.

Në lidhje me detyrën e Ministrisë së Drejtësisë, e cila mban të dhënat statistikore që vijnë nga prokuroritë dhe gjykatat, në Shqipëri duhet një sistem më i qartë gjurmimi, i cili do të shërbejë për të patur një pamje të qartë se si performojnë institucionet e drejtësisë.

Ndërkohë që sipas Euralius, edhe Gjykata e Lartë ka nevojë për implementimin e një programi për shpërndarjen e informacionit tek publiku rreth unifikimit të praktikës gjyqësore.

Top Channel