Një ekspozitë në dy kohë

25/12/2014 00:00

Piktori Edmond Gjikopulli ka çelur në Tiranë një ekspozitë të ndarë në dy pjesë: e shkuara dhe e tashmja e aktivitetit të tij artistik, në Galerinë Zeta dhe atë FAB, përkatësisht me titujt: “Kthim në muzeun e idhujve” dhe “Juxtaposition”.

“Ekspozita ndahet në dy pjesë sepse ka të bëjë me dy momente të krijimtarisë. Nëse këtu janë grupuar pjesa e krijimtarisë së fillimeve të mia, në Galerinë FAB kam ekspozuar atë që bëj sot, apo pjesën e pjekurisë profesionale”, deklaron piktori Edmond Gjikopulli.

Në “Kthim në muzeun e idhujve” përfshihen kuadrot e realizuara duke ndjekur gjurmët e emrave të mëdhenj të modernizmit.

“Në vitet e para të ’90-s, ashtu si dhe për shumë piktorë të tjerë, për ne u hapën dritare të reja në artet pamore dhe të gjithë u turrën me një dëshirë të shfrenuar për të imituar dhe për të shkelur në rrugën e mjeshtrave të mëdhenj të modernizmit, gjë që ishte thuajse e pamundur më parë”, u shpreh Edmond Gjikopulli.

Në Galerinë FAB, punimet më të fundit të Gjikopullit, ku përpos pikturave në vaj janë paraqitur edhe foto. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 dhjetor.

Top Channel