Të burgosesh pa të drejtë

25/12/2014 00:00

Të kërkosh paratë për të gjithë ato minuta, orë, muaj apo edhe vite, që të kanë mbajtur pa të drejtë pas hekurave të qelisë.

Rastet e kompensimeve për burgimet e padrejta po shtohen nga viti në vit në gykatat e vendit. Sipas ligjit, për çdo ditë burgimi të padrejtë, një person duhet të paguhet 3 mijë lekë të reja, nëse ka qëndruar në paraburgim, dhe 2 mijë lekë të reja për çdo ditë burgu.

Vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, më e madhja për nga fluksi i dosjeve, nga 1 janari e deri më 24 dhjetor të këtij viti janë regjistruar 26 raste të reja të personave, që janë arrestuar e burgosur gabimisht për një ngjarje.

Sipas statistikave zyrtare të këtij institucioni, rezulton se brenda 12 muajve janë depozituar 26 kërkesa të reja me këtë objekt, ndërkohë që në total janë shqyrtuar dhe ka përfunduar gjykimi për 51 dosje, 14 prej të cilave të ankimuara.

Rritja e numrit të këtyre kërkesave pranë gjykatave çon dhe në rritjen e shumës, që shteti duhet t’i paguajë kësaj kategorie personash.

Vitet e fundit, Ministria e Financave ka përdorur një pjesë të konsiderueshme të buxhetit, për paratë që i shkojnë kategorisë së personave që kanë mundur të provojnë pafajësinë e tyre, dhe që gjykatat u kanë dhënë të drejtën e dëmshpërblimit. Shumat e dhëna kësaj kategorie kanë rezultuar të jenë gjithnjë e në rritje, nga viti në vit.

Top Channel