60 ditë gabimisht në burg, Nexhat Mulaj: Askush nuk m’i rikthen ato që humba

25/12/2014 00:00

Nexhat Mulaj do të ishte baba i dy fëmijëve, djalë i një mamaje të shëndetshme, një qytetar me reputacion të papërlyer dhe një njeri me ekonomi më të mirë. 30-vjeçari nga Vitaku i Skënderajt të Kosovës, sot ka një vajzë dy vjeç, një nënë të sëmurë dhe një gjendje ekonomike jo të mirë.

Mbi të gjitha, reputacioni i tij nuk është i njëjti, siç ishte tre vite më parë, kur u arrestua gabimisht për një vrasje që nuk e kishte bërë, dhe u mbajt në qeli për 60 ditë. Dy muajt e paraburgimit në Tiranë i ndryshuan atij krejtësisht jetën.

“Do të kisha shkatërruar gjithë familjen ashtu siç bëra për dy muaj. Imagjinoni të kisha qëndruar me vite të tëra. Mamaja pësoi infarkt, gruaja humbi fëmijën e parë dhe unë nuk e dija pasi gjendesha në burg. Ndoshta më mirë kështu, sepse do isha shqetësuar edhe më shumë dhe mund të më ishte përkeqësuar shëndeti, apo mund të mos sillesha normalisht. Ndoshta mund të bëja ndonjë gjë të pamenduar mirë, edhe pse vetëm për ta kisha shkuar të punoj në Shqipëri”, thotë Nexhati.

Përveç dramës njerëzore, që nga ajo kohë ai e ka shumë të vështirë të gjejë punë edhe sot.

“Për të gjetur një vend pune më shohin me një tjetër sy, madje as nuk t’i hedhin sytë. Mënjanohen sepse ende thonë përse ka qenë në burg ky atje”, tregon Nexhati.

Nexhati ka pasur një jetë aspak të lehtë. Djalë i një dëshmori lufte; ai humbi babanë, vëllain dhe motrën gjatë vitit 1999. Pikërisht për këto arsye, ai është përpjekur që gjithë jetën të jetë i ndershëm, e të mos i bëjë keq askujt. Nexhati thotë se për familjen e tij, të cilën me këmbëngulje e mban larg kameras, momenti i arrestimit të tij ka qenë po aq i rëndë, sa dhe vuajtjet e para shumë viteve.

“Momenti kur morën vesh që isha në burg, e dinë vetëm këta të tjerët që janë gjendur në moment pranë familjes sime se si ka qenë situata. Ka qenë momenti më i vështirë për familjen time. Një lajm i papritur, që nuk e kanë menduar dhe s’e kanë pritur aspak. Kishim të tjera telashe, donim si e si të ecnim përpara për një jetë më të mirë, por na doli diçka e papritur me këtë burgosjen”, deklaron Nexhati.

Tetorin e tre viteve më parë, një argjendar humbi jetën në Tiranë, gjatë tentativës për grabitjen e tij. Pak ditë më pas, policia arrestoi Nexhat Mulajn si autor të dyshuar të ngjarjes. Edhe pse këmbënguli që në fillim, se ai nuk kishte lidhje me vrasjen, drejtësia e mbajti 60 ditë në qeli, gabimisht, pa asnjë provë. Tre muaj pasi Mulaj u lirua, policia arrestoi si autor të ngjarjes Viktor Gushon, fajësia e të cilit u provua.

Nexhati nuk është kthyer më në Shqipëri, që nga ajo kohë. Për këtë ka një arsye të fortë.

“Jo, asnjëherë. Nuk kam qenë më në Shqipëri dhe kam frikë të kthehem atje, ndoshta për një arsye të fortë. Gjatë kohës që kam qenë në burg më është dukur vetja si të isha në një shtet të huaj dhe nuk kam asgjë të përbashkët gjuhësore. Asnjë njeri nuk më ka treguar se përse isha futur brenda, as nuk kisha ku të mbështetesha e kujt t’i bëja pyetje se përse më kishin arrestuar”, shprehet Nexhati.

Fëmijën që humbi, tashmë s’ia kthen më askush. Për të vënë në vend drejtësinë, Nexhat Mulaj kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim për qëndrimin dymujor në qeli, e rrjedhimisht për të gjitha pasojat që pati prej tij.

“Kërkoj dëmshpërblimin që meritoj, se kam qenë ato dy muaj sikur kam kaluar 12 vjet. E dija se në çfarë gjendje e kisha lënë familjen. Nuk e di se si ia kanë dalë gjatë asaj kohe, pasi unë jam personi kryesor në familje që mund t’u jepja diçka më të mirë, kisha shkuar vetëm për ata të punoja. Ata janë të gjithë të varur prej meje. Kërkoj nga drejtësia të marrë një vendim siç e meritoj unë, sepse jam i pafajshëm. Do të doja që kujtdo që ka përfunduar i arrestuar padrejtësisht, të paktën të marrin një vendim gjykate që t’ua lehtësojë sadopak situatën. Edhe pse fëmijën e parë që humba s’ma kthen dot askush, as nuk mund të ma paguajnë me asgjë. Do të jepja gjithë pasurinë e botës, vetëm fëmijën ta kisha sërish gjallë”.

Top Channel