Një Krishtlindje ndryshe në kishë për murgeshat Karmelitane

25/12/2014 00:00

“Jemi rikthyer pas tre muajsh në Nënshat të Shkodrës, në Urdhrin e murgeshave Karmelitane. Këtë herë në vigjilje të Krishtlindjes, për të festuar lindjen e Krishtit me to”.

Përgatitjet nisin që në orët e para të mëngjesit, por ato kulmojnë gjatë orëve të pasdites, kur nisin dhe lutjet e veçanta për Krishtlindjen.

Pas lutjes së orës 18, motrat kthehen sërish në dhomat e tyre, duke përgatitur detajet e fundit përpara mbërritjes së mesnatës, që shënon dhe lindjen e Krishtit. Një nga këto përgatitje është dhe buka e gatuar nga to.

“Kjo është buka që e bëjnë në formën e diellit, por që mund të krahasohet edhe me lulen, sepse simbolizon Krishtin, i cili është edhe ushqimi ynë më i madh”, thotë Motër Miriami.

Të pyetura lidhur me përbërësit e kësaj buke, ato shprehen se është vetëm një:

“Ka shumë dashuri brenda”, thotë Motër Maria.

Por, buka nuk është e vetmja përgatitje për këtë festë të rëndësishme.

“Sikurse ka edhe lutje të veçanta, më e rëndësishme është pritja. Është njësoj sikur të vijë dhëndri, edhe pse nusen ende se kemi përgatitur. Pikë së pari është vetja, të jesh me ndërgjegjen e pastër dhe sa më e denjë për ta pritur atë, sepse edhe ai këqyr çfarë kemi përbrenda”, shprehet Motër Maria.

Teksa ora shënon 22:00, 8 murgeshat e Urdhrit Karmelitan përgatiten për lutjen e radhës. Këtë herë, në mënyrë simbolike, ato sjellin një foshnje kukull, çka simbolizon lindjen e Krishtit.

Pas kësaj lutjeje, rikthehemi sërish në bisedë me Motër Marinë dhe Motër Miriamin. Simbolika e Krishtlindjes është mbledhja e gjithë familjes, por për to familja janë simotrat e tyre.

“Unë jam murgeshë prej 30 vjetësh. Në fillim, me siguri më ka munguar familja, por pastaj njeriu mësohet, sepse krijon një familje të re. Sigurisht, është gjithmonë e bukur ajo ngrohtësia familjare dhe afërsia e prindërve, kur i kemi gjallë – dhe konkretisht i kemi ende gjallë e janë në Amerikë – por edhe largësia e shkaktuar prej emigracionit për shembull i bën njerëzit që të mos munden të jenë bashkë. Edhe për dashurinë ndaj tyre, ia ofrojmë Zotit këtë sakrificë, siç ndodh për shembull me një çift të ndarë: e ku ka dhimbje më të madhe se sa te një çift i ndarë? Ndodh edhe që fëmija të rritet pa prindër. Është vërtet e bukur të kesh një familje, por për ne nuk është ndonjë mungesë e madhe, sepse e bëjmë të tillë ambientin, sa që dukemi një familje e madhe”, tha Motër Maria.

E si një familje, mes tyre nuk mungojnë as dhuratat, të cilat janë të përgatitura nga vet ato.

Teksa ora afron 11, çka tregon dhe nisjen e meshës në Kishën e Shën Mëhillit, murgeshat Karmelitane kanë një urim për të gjithë shqiptarët.

“Ne urojmë vërtetë që njeriu të mos ketë frikë të ofrojë dashuri. Atë që Zoti na e ka dhënë, sepse Ai na ka krijuar vetëm për të qenë të dashuruar. Ka shumë gjëra të kota në këtë botë, përfshi këtu pasurinë, e cila është e nevojshme për të jetuar, por kryesorja në këtë botë është dashuria. Kështu të veprojmë edhe ne, pavarësisht se varfëria është e madhe në zonat tona, si Malësia e Madhe. Nuk duhet të jemi të varfër në dashuri, në mirëkuptim, apo në kërkimin e faljes”, thotë Motër Miriami.

Mes dhjetëra besimtarëve të ardhur nga zona e Nënshatit, murgeshat Karmelitane kremtojnë lindjen e Krishtit.

“Kjo ishte mënyra se si murgeshat Karmelitane e festojnë ardhjen e Krishtlindjes, larg zhurmave të qytetit, por të mbushura me dashuri”.

Top Channel