Fasada e Kryeministrisë, sërish një ekran gjigant urimesh

25/12/2014 00:00

Sikurse edhe vitin e kaluar, fasada e godinës së Kryeministrisë është shndërruar në një ekran gjigant, ku projektohen mesazhe urimi nga qytetarët.

Mjafton një SMS në numrin 068 25 555 45 dhe urimi projektohet në fasadën qendrore të Kryeministrisë.

Risi për këtë vit është edhe mundësia e publikimit të fotove, jo vetëm për qytetarët që jetojnë brenda Shqipërisë. Ngarkimi i fotove bëhet në faqen online të Kryeministrisë, në seksionin “Shqipëria Uron”.

I gjithë projektimi i mesazheve do të transmetohet në “live stream”, për t’u mundësuar shqiptarëve jashtë t’i lexojnë ato nëpërmjet kompjuterit dhe celularëve, edhe në kanalin “YouTube”.

Mesazhet e para të projektuara ishin nga ministri Erion Veliaj dhe deputeti i Librazhdit, Taulant Balla.

Mesazhet do të projektohen çdo mbrëmje pas orës 18:00 deri në datën 31 dhjetor, dhe të ardhurat nga SMS-të do të shkojnë për bamirësi.

Kryeministri ftoi qytetarët të ndajnë gëzimin e festave nëpërmjet kësaj mundësie urimi. Në këtë mënyrë – thotë ai, – festat bëhen të gëzueshme edhe për ata, që sot kanë nevojë për mbështetjen dhe solidaritetin tonë.

Top Channel