Greqi, racione ushqimore për shtresat e vobekta të shoqërisë

25/12/2014 00:00

Qindra grekë të varfër, të pastrehë, të vetmuar dhe të uritur kanë marrë një vakt të ngrohtë në një gjimnaz të Athinës ditën e Krishtlindjes, dhuruar nga Bashkia.

Të paktën 800 të vobektë kanë marrë një racion ushqimi në këtë ditë të shënuar, ndërsa edhe 100 të tjerë e kanë marrë me vete ushqimin, pasi salla e caktuar nga Bashkia për këtë vakt dashurie për njerëzit në nevojë nuk kishte më vend.

“Situata është duke u përkeqësuar në këtë drejtim, sa i përket faktit se gjithnjë e më shumë njerëz vijnë këtu për një pjatë ushqimi. Për fat të keq, në vend që ky numër të ulej, çdo vit e më shumë rritet”, thotë Georgios Moraitakis, anëtar i Këshillit Bashkiak, Athinë.

Sipas zyrtarëve të Bashkisë së Athinës, numri i të vobektëve rritet çdo vit e më shumë, sidomos pas krizës së zgjatur ekonomike, që ka pllakosur vendin. Ndërsa edhe për të pastrehët, burime jozyrtare shprehen se kanë arritur shifrën 30.000 vetë.

Disa javë më parë, zyra e projektbuxhetit të Parlamentit grek ka bërë me dije se mbi 2.5 milionë grekë ndodhen nën kufirin e varfërisë, ndërsa 3.8 milionë të tjerë rrezikohen nga varfëria për shkak të privimit material dhe papunësisë.

“Situata në Greqi është kaq tragjike, pasi njerëzit torturohen nga shumë probleme. Ndaj kam ardhur këtu sot, në ditën e lindjes së birit të Perëndisë, për të harruar problemet e mia, për të gjetur ngrohtësi dhe paqe”, thotë Gianis, një 44-vjeçar i papunë.

Sipas shifrave që publikoi muajin e kaluar Instituti Europian i Statistikave, “Eurostat”, Greqia ndodhet në vendin e fundit të vendeve anëtare të BE-së, përsa i përket rrezikut të varfërisë, ndërsa renditet në grupin e vendeve me varfërinë më të madhe 23.1%, duke lënë pas Spanjën, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Racione ushqimi u janë ndarë të varfërve edhe në qytete të tjera të vendit dhe mesazhi që kanë dashur të përcjellin autoritetet lokale në këtë ditë feste është dashuri dhe ngrohtësi për njerëzit në nevojë.

Top Channel