Familjarët e pilotit jordanez, thirrje për lirimin e tij

25/12/2014 00:00

Familjarët e pilotit jordanez të rënë peng në kthetrat e ISIS-it një ditë më parë, kur avioni luftarak që drejtonte u rrëzua në rrethinat e qytetit të Raqqa-s në veri të Sirisë, kërkojnë dëshpërimisht nga militantët lirimin e tij.

Youssef al-Kasaesbeh u kërkoi ekstremistëve që të “mikpresin” djalin e tij, “ta trajtojnë mirë atë” dhe ta lirojnë.

“Kam një mesazh të drejtpërdrejtë për vëllezërit bujarë të Shtetit Islamik; trajtojeni mirë djalin tim dhe lirojeni atë”, tha ai në një intervistë dhënë për televizionet jordaneze.

Piloti 26-vjeçar, Moaz al-Kasaesbeh u hodh me parashutë para se avioni i tij të përplasej në tokë. Ai i mbijetoi rënies, por ra në duart e ISIS-it dhe analistët ndërkombëtarë i druhen se fati i tij do të jetë i njëjtë me atë të disa pengjeve perëndimore të ekzekutuar me prerje koke.

Një ditë më parë, grupi ekstremist njoftoi rrëzimin e avionit luftarak me anë të një rakete tokë-ajër të orientuar me anë të nxehtësisë. Menjëherë pas këtij njoftimi ISIS publikoi në internet foto dhe video nga momenti i kapjes së pilotit jordanez.

Pavarësisht pretendimeve të militantëve se janë ata që kanë rrëzuar avionin, si Uashingtoni ashtu edhe Jordania deklaruan se ende nuk e dinë me saktësi se çfarë e rrëzoi avionin dhe nuk përjashtojnë mundësinë që mjeti të ketë rënë edhe për shkak të një defekti teknik.

Pas këtij incidenti, vendet anëtare të koalicionit pritet të takohen për të rivlerësuar rrezikshmërinë e ISIS-it dhe arsenalit të tij luftarak.

Që prej 22 shtatorit, kur edhe nisi fushata ajrore kundër ekstremistëve e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, janë ndërmarrë 798 sulme të konfirmuara në Irak dhe 554 në Siri.

Top Channel