Funksionarët shqiptarë në qeverinë e  Shkupit po mbështesin projektet e
pushtetit në dëm të shqiptarëve, për shkak se janë të kërcënuar nga
partneri maqedonas me publikimin e aferave të shumta korruptive në të
cilat janë përfshirë.

Këto akuza në adresë të zyrtarëve të BDI-së i ka bërë deputeti i PDSH-së opozitare, Gazmend Aliu. Ai, me këtë rast përmendi edhe stemën e re të Maqedonisë që u propozua nga Ministria e Drejtësisë, që drejtohet nga funksionari i BDI-së, Adnan Jashari.

“Shpërblim për mos burgosjen e këtyre personave është propozimi për stemën e re të shtetit që u propozua nga Ministri i Drejtësisë, profesori Adnan Jashari . Më e keqja është se ky person mundohet të bindë shqiptarët se në atë stemë ka edhe elemente shqiptare”, deklaron Gazmend Aliu, deputet i PDSH-së. 

Kryeministri Gruevski, që ishte i pranishëm në Kuvend nuk i dha përgjigje  deputetit të PDSH-së, Gazmend Aliu, pse shteti nuk merr masa për rastin e dokumentuar të falsifikimit të zgjedhjeve lokale në komunën e Çairit në vitin 2013.

“Funksionimi i kësaj qeverie veçmas partnerit shqiptar BDI, bazohet vetëm mbi shantazhe dhe dokumente për korrupsion”, vijoi Aliu.

Deputetët e PDSH-së akuzuan qeverinë edhe për mbylljen e disa bizneseve të shqiptarëve si dhe për kushtet e rënda në shkollat me mësim në gjuhën shqipe.

Top Channel