Zgjatet afati për vetëdeklarimin e ndërtimeve pa leje

26/12/2014 00:00

Dyndjet në sportelet e ALUIZNI-t për të kërkuar legalizimin e objekteve të tyre, veçanërisht me ardhjen e emigrantëve për festat e fundvitit, kanë detyruar qeverinë të shtyjë afatin e vetëdeklarimeve të hapur në 10 shtator, me një tjetër muaj.

“Të 14 Drejtoritë Rajonale dhe të 11 sportelet shtesë, të hapura prej nesh nëpër qytete, do të jenë në dispozicion të qytetarëve për kryerjen e procedurave të vetëdeklarimit deri më 31 janar 2015”, deklaroi Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t.

Lame thotë se paralelisht me këtë, ALUIZNI po harton një program për të mundësuar kryerjen e procedurave të vetëdeklarimit dhe legalizimit përmes konsullatave shqiptare, në vendet kryesore të qëndrimit të emigrantëve.

Gjatë gjithë kësaj periudhe katërmujore, kreu i ALUIZNI-t thotë se janë kryer rreth 72.000 vetëdeklarime të reja, që i shtohen shifrës prej 270 mijë vetëdeklarimeve të bëra që nga viti 2005 deri në 2013-n.

Para këtij vendimi, mundësia për të vetëdeklaruar të gjitha llojet e pronave, pranë zyrave të ALUIZNI-t, përfundonte më 31 dhjetor.

Top Channel