Digjet xhamia në Suedi, plagosen disa persona

26/12/2014 00:00

Një xhamie i është vënë zjarri në Suedi në ditën e Krishtlindjes, incident ky që shkaktoi të paktën 5 të plagosur, ndërsa në qytetin e Eskilstuna-s ka sjellë hijen e urrejtjes e ksenofobisë.

Rreth 15 apo 20 vetë ishin duke marrë pjesë në faljen e mesditës kur xhamia e ndodhur në katin e parë të një godine rezidenciale u mbush nga tymi e flakët. U desh ca përpara se zjarrfikësit ta vinin zjarrin nën kontroll.

“Në fillim pati ca të thirrura, por nuk i morëm seriozisht. Pastaj dikush nisi të bërtiste, të gjithë u ngritën në këmbë e gjithçka përfundoi në kaos. Njerëzit vraponin kush e kush të dilte i pari, disa thyen dritaret e u hodhën, të moshuarit që nuk arrinin të dilnin dot vetë, i shtynin nga dritaret që t’i nxirrnin jashtë”, thotë  Ibrahim Sabriya, dëshmitar.

Incidenti vjen në një moment debatesh të ashpra mbi politikat e emigracionit në vend. Ekstremi i djathtë kërkon uljen në 90% të numrit të azilkërkuesve që u lejohet qendrimi. Partitë e qendrës nga ana tjetër synojnë ruajtjen e linjës liberale sa i takon të ardhurve. Policia po e trajton episodin si zjarrvënie me dashje, por tani për tani nuk është bërë asnjë arrestim.

“Një dëshmitar ka parë dikë të lëshojë një objekt në dritaren e ndërtesës së përdorur si xhami. Pas kësaj, godina u përfshi menjëherë nga flakët. Pesë persona janë shtruar në spital me probleme që shkojnë nga vështirësia në frymëmarrje për shkak të tymit e deri tek djegjet”, thotë oficeri i policisë, Henrik Lagerkvist.

Eskilstuna, një qytet me popullsi të madhe emigrantësh, ka qenë së fundi skenë përplasjesh të dhunshme ku janë përfshirë grupe neonazistësh, kundërshtarë të politikave aktuale të emigracionit. Në 3 dhjetor, demokratët suedezë, partia populiste me një axhendë të fuqishme kundër emigracionit, rrëzuan koalicionin qeverisës që kishte vetëm dy muaj e gjysmë në pushtet përmes refuzimit të planeve të tij për buxhetin.

Top Channel