Rama: Të pajtohemi me serbët, armiqësitë t’i shndërrojmë në partneritet

26/12/2014 00:00

Për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, bashkimi kombëtar mes
shqiptarëve ka ndodhur, përveçse ata nuk mund të udhëhiqen nga një
Qeveri.

Ndërsa bashkimi dhe Shqipëria e madhe, siç është lënë amanet një shekull më parë, Rama tha se nuk është më opsion. Fryma e nacionalizmit siç shfaqet herë pas here për kryeministrin e Shqipërisë nuk i bën nder askujt.

Këto komente Rama i bëri në debatin ‘Fol hapur’ në Prishtinë, të organizuar nga Lëvizja ‘Fol’ ku theksoi se shqiptarët janë faktori më i rëndësishëm në rajon. Me këtë rast ai ftoi shqiptarët kudo që të shtrijnë dorën e pajtimit për serbët dhe armiqësinë e vjetër ta kthejnë në partneritet.

“Ajo që ka ndodhur me shqiptarët në këto 15 vjet është nga ato gjëra që një kombi i ndodhin një herë në 100 apo 200 vjet. Eshtë një gjë fantastike. Të mos e harrojmë, shqiptarët janë faktori më i rëndësishëm në rajon. Kjo rëndësi e madhe që ka marrë faktori shqiptar është përgjegjësi historike për ne. Ne nuk mund të sillemi si superiorë, në rast se duam që ta përdorim peshën e re që kemi në rajon, për t’i dhënë gjeneratave të tjera të shqiptarëve dhe të tjerëve, një rajon përfundimisht të çliruar nga makthet e të shkuarës. Siç duhet të jemi me patjetër të hapur dhe të drejtpërdrejtë me serbët, duhet të jemi po ashtu të hapur dhe të drejtpërdrejtë dhe tërësisht të sinqertë në shtrirjen e dorës të paqes dhe bashkëpunimit ndaj serbëve. Ata duhet ta kenë shumë të qartë, që ne nuk negociojmë asgjë nga ato që i kemi arritur, por në të njëjtën kohë, ne nuk jemi hipokritë kur i shtrijmë dorën dhe i themi të ndërtojmë së bashku një të ardhme, duke e transformuar në armiqësinë në partneritet dhe duke bërë për Ballkanin, atë që Franca dhe Gjermania bënë për Europën”, tha Rama.

 Edhe pyetjet e pjesëmarrësve në fakt u ndërlidhëm me pozicionin e shqiptarëve të Kosovës, jo vetëm ndaj serbëve por edhe për të ardhmen e tyre si popull. Pjesemarresit kujtuan se përveç projektit të bashkimit kombëtar në Kosovë ekziston edhe projekti i krijimit të kombit kosovar dhe projektin që e la pakoja e ahtisarit si projekt që udhëhiqet nga qeveritë. Por për Edi Ramën që të tri këto cështje janë të ndërlidhura në një.

“Besoj se asnjëra nga këto nuk kanë gjasa, sepse të treja bashkë janë pjesë e të njëjtës gjë. E vetmja pengesë që ne kemi në rrugën për ta realizuar projektin, jemi ne vetë”, theksoi Rama.

Duke folur për çështje konkrete të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, Edi Rama kujtoi se mbledhjet e dy qeverive do të vazhdojnë të mbahen ndërsa premtoi së në fund të janarit do të publikohet raporti i punës së deritanishme.

Në këtë debat Rama foli edhe për rëndësinë e gruas në vendimmarrje përkatësisht nevojën që gratë të jenë pjesë e legjislativit dhe ezkekutivit. Sipas tij kjo është një përparësi edhe për faktin se gratë janë më PAK të korruptueshme.
 

Top Channel