Rusët: Frikë nga kriza. Ndihemi të padëshiruar në Europë

26/12/2014 00:00

Ata nuk kanë më para dhe ndihen të padëshiruar në vendet ku shkojnë:
Rusët po udhëtojnë tashmë sa gjysma e sasisë të cilën kanë udhëtuar një
vit më parë drejt vendeve të tjera.

Arsyet: falë krizës ekonomike, ata tashmë po e ndiejnë se kanë më pak para në xhepat e tyre. Por edhe sanksionet e Bashkimit Europian i bëjnë ata të ndihen keq. Por duket se nga sanksionet e Brukselit e të Perëndimit, është prekur fort edhe njëri prej gjigantëve më të mëdhenj botërorë të fushës së energjetikës.

Për shkak të krizës së rublës, rusët tashmë dukshëm po udhëtojnë më pak drejt destinacioneve turistike për pushime. Shifrat e udhëtarëve gjatë këtij viti kanë pësuar një rënie që shkon në nivelin 40-50% në krahasim me vitin 2013, tha drejtoresha e Shoqatës së Sipërmarrjeve Turistike Ruse, Maja Lomidse, këtë të mërkurë në Moskë.

E prekur nga ky trend është edhe Gjermania, e cila pret – me distancë – shumë më pak turistë rusë, sesa vendet e tjera.

Arsyet për këtë rënie duhen gjendur në ekonominë dhe uljen e fuqisë blerëse, pasi rubla ka humbur shumë terren përballë monedhave të huaja perëndimore si euro dhe dollari. Por Lomidse rreshtoi si kontribuues në këtë rënie edhe “faktorë që vijnë nga jashtë Rusisë”.

Shumë rusë ndërkohë raportojnë se ndihen tashmë të padëshiruar në shumë vende perëndimore, për shkak të sanksioneve që këto vende kanë vendosur ndaj vendit të tyre, si pasojë e konfliktit në Ukrainë.

Kjo gjendje ka shkaktuar së fundmi falimentim e rënie drastike të punës ndër operatorët turistikë në “Super-Perandorinë e Lindjes”. Si njërin ndër destinacionet më të dashura për rusët, Lomidse renditi Turqinë dhe Egjiptin.

Në Bashkimin Europian, sipas paraqitjes që bëri ekspertja ruse e turizmit, ishin Greqia dhe Spanja vendet më të kërkuara që zinin kësisoj nga shtatë për qind secila në “tortën” e madhe turistike që preferohet e konsumohet nga turistët rusë.

Ambasada gjermane në Moskë ndërkaq kishte marrë si përgjigje për pyetjen e saj, se tashmë turistët rusë drejt Gjermanisë kanë pësuar një ulje prej 16 deri në 20 për qind, duke pasur parasysh këtu aplikimet për viza që ata parashtronin në ambasadë për qëllime turistike, në krahasim me vitin e kaluar.

Top Channel