Ndrea Prendi sërish në gjykatë, akuzohet për shpërdorim detyre

26/12/2014 00:00

Kur drejtësia e Gjykatës së Lartë nuk ka caktuar të paktën as një datë
për të filluar procesin gjyqësor për  demonstratën tragjike të 21
Janarit me të pandehur edhe ish-komandantin e Gardës së Republikës,
Ndrea Prendi, gjenerali do të ulet sërish në bankën e të akuzuarve në
Gjykatën e Shkallës së Parë.

Njësia Task Forcë në Prokurorinë e Tiranës përfundoi këtë të premte hetimet ndaj dy ish-komandantëve të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe ish-komandantin e komanduar Artan Hoxha dhe i dërgoi ata si të pandehur ku edhe do të gjykohen  për akuzën e shpërdorimit të detyrës.  

Së bashku me ta do të gjykohet edhe ish-drejtorja e Burimeve Njerëzore në Gardë, që akuzohet për falsifikim dokumentash. Llogaritë e pambyllura të Prendit dhe Hoxhës kësaj radhe kanë të bëjnë me një kallzim të Ministrisë së Brendshme të depozituar në korrik të këtij viti, pas një auditi të kryer nga ky dikaster në Gardën e Republikës.

Në përfundim të hetimeve prokuroria konkludoi se ata kanë abuzuar me ligjin, për sa kohë kanë firmosur për tre vjet nga 2011 deri më 2013 pagën e ish-drejtores së personelit, e cila nuk ka qenë asnjë ditë në krye të detyrës.

Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se shtetësja Shqipe Spahiu, që akuzohet për falsifikim ndodhej jashtë vendit, por pagesat i firmoseshin sikur të ishte në krye të detyrës.

Nga ana tjetër pas dënimit të tij me një vit burg për akuzën e vrasjes nga pakujdesia për ngjarjet e 21 janarit, në kalendrarin e afishuar të Gjykatës së Lartë vijon të jetë pa datë procesi i 21 Janarit, i cili që nga 2013 kur u hodh shorti po rri në pritje, derisa Kolegji Penal të studiojë dosjen.

Top Channel