Fleckenstein vlerëson rezolutën: Dekriminalizimi? Nëse publikohen emrat

26/12/2014 00:00

Në një intervistë ekskluzive për DË, Knut Fleckenstein përcolli
vlerësimin e tij mbi situatën politike në Shqipëri tani pas rikthimit
të Partisë Demokratike në parlament.

Eurodeputetit gjerman nuk është i sigurtë nëse rreziku i një rikthimi të modelit të bojkotimit mund të konsiderohet i kaluar. “Jam i gëzuar që Partia Demokratike ka vendosur të rihyjë në parlament”, thote ai. “Sigurisht së pari e ka ajo në dorë, por po kaq e rëndësishme është që edhe qeveria të krijoje një atmosferë e cila e bën të mundur punën parlamentare.

Duke hyrë në detaje mbi përvojën e tij të ndërmjetësimit, Fleckenstein tregon se më këmbëngulëse ka qenë Partia Demokratike, për shkakun se donte t`i eleminonte arsyet që e shtynë të braktiste sallën e Kuvendit, dhe në kuadër të ndërmjetësimit pika më e vështirë ishte gjetja e një forme të shkruar.

Rezoluta që do të duhej të miratonte parlamenti duhej të formulohej në një mënyrë të tillë që nga njëra anë të mos ishte shumë e përgjithësuar, dhe njëkohësisht të përmbante vetëm ato elemente që mund të negocioheshin për një kohë të shkurtër.

I pyetur si do të kryhet konkretisht dekriminalizimi i parlamentit dhe nëse ka ligjvënës të kriminalizuar, pse nuk u bënë publikë emrat e tyre, eurodeputeti nuk pohon hapur se ka të tillë. Por nëse ata ekzistojnë, atëherë përse emrat nuk u bënë publik, shprehet Fleckenstein. “Nuk jam unë prokurori që e përcakton një gjë të tillë”, shton ai. “Tani fjala është si do të trajtohet çështja e si veprohet në raste te tilla  në vende të tjera të BE-së”.

Sa për arsyet përse partitë tona politike kërkojnë vazhdimisht ndërmjetësimin e bllokut për mosmarrëveshjet e thella mes tyre, përgjigjja është e thjeshtë: “Në grindje të tilla, nuk është keq të kesh avokatë në anën tënde. Prandaj edhe unë nuk isha vetëm atje, por me kolegun tim, Eduard Kukan nga Partia Popullore Europiane”, thotë eurodeputeti gjerman. Dhe avokatët, shton ai, nuk janë për të ndezur klientët, por kanë edhe detyrën që t’i bindin ata të heqin dorë nga ndonjë pozicion që kanë.

Top Channel