Peqin, zhvillohet panairi i gjelit të detit

26/12/2014 00:00

Ashtu siç është bërë traditë, në Peqin është organizuar panairi i gjelit
të detit. Këtë vit ky event u mbajt në kalanë e qytetit dhe përveç
gjelit banorët e zonës promovuan edhe produktet e tyre bio.

Peqini u zgjodh për të organizuar këtë panair, pasi vazhdon të mbetet qendra më e madhe e mbarështimit të këtij lloj shpendi në vend.

“Të ketë një emër, të jetë një produkt marke, të quhet “gjel Peqini” pasi kështu identifikohet me zonën ku rritet. Nga ana tjetër, gjeli i detit është emblema e këtij panairi, por jo vetëm kaq. Ne u njohëm edhe me prodhimet e tjera të fermerëve si mollët, agrumet, vaji i ullirit i Peqinit, etj”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Ndërsa deputeti Alfred Peza në fjalën e tij përshëndetëse deklaroi se  tradita e gjelit të detit është një simbolikë e mirënjohur për tavolinat e mbarë shqiptarëve.

“Tashmë të gjithë e dinë se gjeli i Peqinit është më i miri jo vetëm në Shqipëri. Dhe duke qenë se Shqipëria ka gjelat më të mirë në botë, dhjetëra qytetarë nga gjithë vendi kanë ardhur këtu në këtë panair”, tha Peza.

Çmimin e parë të këtij panairi e mori fermeri Ferit Dranga. Tufa e tij u cilësua si më e mira dhe më e shëndetshmja.

Top Channel