Studentët në Maqedoni vazhdojnë betejën e tyre kundër zbatimit të provimit shtetëror nëpër universitetet e vendit. Mijëra të rinj u tubuan të premten për të tretën herë para godinës së qeverisë në Shkup, për t’i thënë JO reformave në arsim që paralajmëron pushteti.

“Ne kërkojmë reforma të arsyeshme të mbështetura në analiza të mirëfillta. Ne jemi këtu për t’i thënën stop reformave të këqija që i paralajmëron qeveria”, deklaroi studenti Darko Malinovski.

Protestuesit vlerësojnë se me aplikimin e provimit shtetëror për studentët e vitit të dytë dhe të katërt, pushteti po tenton të politizojë arsimin dhe të shkelë mbi dinjitetin e studentëve dhe profesorëve, duke cënuar autonominë e universiteteve.

“Sot jemi edhe më krenarë sepse krahas shumë presioneve dhe kërcënimeve, sot në mesin tonë kemi edhe studentë nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Me këtë shihet se edhe ne studentët e USHT-së po e marrin fatin në duart tona”, u shpreh Daim Luçi nga Unioni i Studentëve Shqiptarë.

Në mbështetje të studentëve doli edhe Rektorati i Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup, drejtuesit e të cilit kundërshtuan paketën e projekt/ligjeve për reforma në arsim. Megjithatë, qeveria po tregohet e vendosur në zbatimin e reformave për të rritur cilësinë e arsimit në vend.

Top Channel