Berisha me gazetarët, kritika për energjinë, ekonominë, ndarjen e re

26/12/2014 00:00

Kur çmimi i ri i energjisë u bë publik, ish-kryeministri Sali Berisha ishte në një takim me gazetarët dhe nuk ngurroi ta quante këtë ngjarje të pritshshme si katastrofale për qytetarët me më pak të ardhura, duke llogaritur se me heqjen e fashës mbrojtëse çmimi është rritur rreth 25 për qind.

“Dhe Edi Rama që u tha shqiptarëve 4 muaj rresht se nuk do ketë rritje të çmimit, çfarë do thotë tani? Mesatarizimi do të thotë lehtësim për ata që shpenzojnë mbi 1 mijë kilovatë dhe gjobë e tmerrshme për 75 për qind të popullatës që është brenda fashës prej 300 kilovatë. Kjo është një gjobë masive që u vihet qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Berisha.

Çmimi i energjisë nuk është e vetmja arsye përse ish-kryeministri e kishte të vështirë të gjente një përkufizim të shkurtër për këtë vit që po mbyllet. Sipas zotit Berisha, përkeqësimi është i kudondodhur, sepse shteti ligjor po zëvendësohet me shtetin policor, rendi dhe siguria po zëvendësohen me frikën, rritja pozitive ekonomike po zëvendësohet me reçesionin, ndërsa punësimi me varfërinë ekstreme.

“Ky është vit që faktoi përfundimisht shndërrimin e premtimeve të Edi Ramës në megamashtrime, për të cilat ai do mbahet përgjegjës nga shqiptarët çdo orë e çdo ditë, deri në largimin nga pushteti”, tha Berisha.

Duke akuzuar kryeministrin Rama se ka ndërtuar një sistem korruptiv, të paaftë dhe të kriminalizuar, zoti Berisha e akuzoi kreun e qeverisë edhe për falsifikim të statistikave për rritjen ekonomike. Sipas ish-kryeministrit, duke mos publikuar në kohë të dhënat, INSTAT po përpiqet të fshehë reçesionin e ekonomisë.

“Duhet të nxirrte në tetor rritjen ekonomike të tremujorit të tretë, por nuk e ka bërë. Kjo vonesë është aktakuzë ndaj Ramës dhe Gjergjit që duan të falsifikojnë rritjen ekonomike të tremujorit të tretë”, theksoi Berisha.

Por, siç thotë ish-kryetari i PD, ka një dritë në fund të tunelit dhe kjo dritë sipas tij është Partia Demokratike. “Populli ia ktheu asaj besimin dhe ata e treguan më 22 nëntor se kujt i besojnë”, u shpreh ai.

Tani, PD ka një vendim madhor për të marrë dhe ai lidhet me zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Ish-kryeministri tregohet i rezervuar të japë një mendim në këtë kohë dhe, megjithëse e di që mospjesëmarrja në zgjedhje nuk është një veprim europian, ai thotë se Partia Demkratike nuk do të pranojë një rezultat të paracaktuar, si ky që ka bërë mazhoranca me ndarjen e re territoriale.

“Në analizën elektorale është bërë që nga 61 bashki PS të dominojë në 51 prej tyre. Ky është problemi, a do pranohet të bëhet paraprakisht një marrje në tavolinë e zgjedhjeve”, saktësoi Berisha.

Për koinçidencë, procesi zgjedhor do të ecë paralelisht me veprimet e Parlamentit për adresimin e çështjes së individëve me rekorde kriminale, që mbajnë poste publike. Dhe sipas ish-kryeministrit Berisha, dekriminalizimi i zgjedhjeve është problem madhor.

“PS, po të mund të quhej me një emër tjetër do të quhej partia e vjedhjes së votës. Dekriminalizimi është jetik dhe vendimtar për PS. Uroj që dekriminalizimi i Parlamentit dhe isnitucioneve të ndodhë edhe në atë parti. Por me Edi Ramën në krye shanset i ka zero”, shtoi Berisha.

Top Channel