Nis dëbora në veri të vendit, Policia: Përdorni zinxhirët në “Rrugën e Kombit”

26/12/2014 00:00

Në rajonin verilindor të vendit kanë nisur reshjet e dendura të borës. Më të shumta janë në “Rrugën e Kombit”, nga Fushë-Dukagjini deri në hyrje të tunelit të Kalimashit, si dhe në disa pjesë të segmentit Kukës-Morinë.

Autoritetet thonë se nuk ka probleme me qarkullimin e automjeteve në këto akse dhe situata është në kontroll.

Përgjatë këtyre dy segmenteve kompania mirëmbajtëse ka nxjerrë në terren 8 mjete borëpastruese për hedhjen e kripës, ndërsa rruga po patrullohet nga 4 njësi të Policisë Rrugore. Policia apelon që të gjithë drejtuesit e automjeteve të kenë pajisjet dimërore.

“Gjithë stafi ynë me mjetet borëpastruese ndodhet në terren. Aktualisht në ‘Rrugën e Kombit’ kemi 8 borëpastruese që po punojnë nga tuneli deri në Doganën e Morinës”, thotë Fiqri Taçi, nga kompania mirëmbajtëse.

“Bashkërisht kemi vendosur edhe 4 patrulla të qarkullimit rrugor në terren dhe së bashku me kompaninë e mirëmbajtjes po merremi me pastrimin e aksit rrugor, njëkohësisht porosisim të gjithë drejtuesit e mjeteve, të tregojnë shumë kujdes me lëvizjen e tyre dhe të përdorin pajisjet e dimrit, sepse rruga edhe pse e hapur, herë pas here shfaq ato vështirësitë e zakonshme të dimrit”, deklaroi Agron Braha, shef i Policisë Rrugore të Kukësit.

Top Channel