Strehimi, kryebashkiaku i Fierit në gjykatë. Akuzohet për shpërdorim detyre

26/12/2014 00:00

Prokuroria e Fierit ka dërguar këtë të premte si të pandehur në gjykatë kryetarin e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, së bashku me 6 zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, të gjithë në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Strehimit, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Gjithashtu, bashkë me zyrtarët, Prokuroria ka marrë të pandehur edhe 6 persona të ndryshëm, të akuzuar për “falsifikim dokumentesh”, në rastin e aplikimeve për lehtësira në strehim.

Sipas Prokurorisë së Fierit, mësohet se hetimi ka nisur në bazë të kallëzimit nga 15 persona, të cilët kanë aplikuar pranë Bashkisë Fier për t’u trajtuar me banesa sociale si të pastrehë.

“Nga materiali kallëzues dhe pyetja e personave, të cilët nuk janë kualifikuar për trajtim me banesë sociale, është konstatuar se pretendimet e tyre lidhen, së pari, me faktin se Komisioni i Strehimit ka publikuar një listë, e cila nuk ishte e pikëzuar, në ambientet e Bashkisë Fier. Kallëzuesit kanë shpjeguar se Komisioni i Strehimit nuk ka marrë për bazë listën e parë të personave të cilët kanë aplikuar, por kanë futur në listën e aplikuesve edhe persona të tjerë të rinj, të cilët kanë përfituar me vendimin përfundimtar të Këshillit të Bashkisë. Kallëzuesit pretendojnë se, pavarësisht se kanë marrë pikët e nevojshme nga Komisioni i Strehimit, nuk kanë fituar në listën përfundimtare të miratuar nga Këshilli i Bashkisë”, – thuhet në dosjen e Prokurorisë ndaj 13 të pandehurve.

Nga marrja në pyetje, kallëzuesit kanë shpjeguar faktin se nuk ka pasur transparencë gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre, pasi në listën e fituesve janë futur edhe persona, të cilët janë me prona, biznese ose të afërm të këshilltarëve, që kanë votuar në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Fier, të datës 09.07.2012.

Nga ana e tij, organi i akuzës, pas regjistrimit të proçedimit penal dhe hetimeve të kryera, ka konstatuar se pretendimet e kallëzuesve janë të drejta, pasi rezultojnë një sërë shkeljesh ligjore në proçedurat e pranimit, shqyrtimit dhe përzgjedhjes së familjeve të pastreha, në qytetin e Fierit.

Top Channel