Një “Pasdite” me Princ Lekën dhe Elia Zaharian

26/12/2014 00:00

Në kuadër të rubrikës Personazhi i Javës, stafi i emisionit “Pasdite në Top Channel”, i kryesuar nga prezantuesja Kozeta Turishta ka qenë në rezidencën e familjes mbretërore shqiptare, në një takim me çiftin Princ Leka dhe Elia Zaharia.

Kozeta Turishta: Princ Leka dhe Elia, mirëse ju gjej në shtëpinë tuaj.

Elia Zaharia: Mirëseerdhe, kënaqësi të të kemi këtu dhe të ndajmë bashkë atmosferën e festave.

Kozeta Turishta: Princ Leka, si ka qenë 2014-a për ju?

Princ Leka: Kemi pasur shumë angazhime. Kam ndjerë për herë të parë lirinë për t’u fokusuar në angazhimet e familjes, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Jemi angazhuar në fushën sociale e kulturore, për të promovuar sa më shumë vlerën shqiptare në botë. Ka qenë një vit me shumë suksese dhe shpresojmë se në 2015 do të ketë një vazhdimësi të zhvillimeve pozitive.

Kozeta Turishta: Elia, t’i ke pasur edhe angazhimin me fondacionin Mbretëresha Geraldinë. Mund të flasim pak për këtë?

Elia Zaharia: Kam pasur shumë punë dhe shumë fat me fondacionin pasi kemi ecur në drejtimin e duhur. Fondacioni kujdeset për fëmijët, arsimin, familjet në nevojë, është mjaft i gjerë. Unë jam e fokusuar tek shkollimi. Kryesisht kemi punuar në veri të vendit, në zonën e Matit, ku kemi restauruar dy shkolla, thuajse rindërtuar nga fillimi. Njëra në Gjalisht dhe tjetra në Zenisht. Kemi realizuar rrethimin e shkollës, restaurimin e brendshëm dhe vendosjen e sistemit hidro-sanitar. Projekti i fundit për 2014 ka qenë ai për instalimet hidro-sanitare në shtëpinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shkodër. Do vijoj punën që të bëhet restaurimi në këtë ambjent. Ne e bëmë këtë me shumë vrrull dhe dashuri për këta fëmijë, sepse ata janë të pamundur.

Kozeta Turishta: Duket se e bëni me energji dhe shumë dashuri këtë punë?

Elia Zaharia: Po, shumë. Për mua, të vë energjitë e mia për këto shtresa justifikon një status, prezencën tonë në realitetin shqiptar, por dhe si njeri të ndihmon shumë sepse prek nga afër situatën ku jeton. Ne udhëtojmë shumë nëpër qytete e fshatra të Shqipërisë dhe nuk jemi gjithë kohës këtu në Tiranë, që nuk është gjithmonë pasqyrimi i realiteteve të vërteta shqiptare. Ky aktivitet të pasuron shumë shpirtërisht.

Kozeta Turishta: Elia, po përsa i takon jetës suaj artistike, sa kohë u ka zënë gjatë 2014-s?

Elia Zaharia: Gjysma e parë e vitit ka qenë shumë intensive, sepse janë realizuar projekte në Teatrin Kombëtar dhe ish-teatrin e komedisë. Kam patur fat që kam punuar me njerëz gazmorë si Robert Ndrenikën dhe Viktor Zhustin, të cilët i dua pa fund dhe adhuroj. I kam adhuruar që e vogël dhe sot të luaj me ta është një ëndërr e realizuar. Kam patur fat dhe kam punuar shumë.

Kozeta Turishta: Si keni menduar ta festoni ndërrimin e viteve?


Princi Leka
: Kemi menduar më shumë të festojmë në shtëpi. Gjithmonë kemi pasur traditën ta kalojmë festën me shoqërinë e familjen dhe këtë vit do t’i festojmë festat si gjithmonë. Gjatë festave kemi pasur edhe mundësi të shkojmë dhe vizitojmë disa shkolla, në kuadër të fondacionit Nëna Mbretëreshë dhe kemi kaluar mirë duke shpërndarë dhurata dhe duke krijuar një atmosferë që i takon festave të Krishtlindjes dhe fundvitit.

Kozeta Turishta: Elia, këto festa kryesisht ia dedikoni miqve dhe familjarëve?

Elia Zaharia: Krishtlindjet me familjarët, pastaj Vitin e ri edhe me miqtë.

Kozeta Turishta: Keni miq të përbashkët?

Elia Zaharia: Miqtë e afërt e të ngushtë po. Pastaj dita është e përbërë edhe me takime të tjera jo me miqtë e zemrës. Pjesën e punës përpiqemi ta ndajmë. Unë me kolegët e mi diskutojmë kryesisht çështje profesionale dhe kështu respektojmë intimitetin dhe botën e secilit. Edhe princi ka miqësitë e veta.

Princ Leka: Po, kam shoqërinë time. Elia më shumë është e fokusuar tek arti, ku ka një shoqëri të gjerë, ndërsa unë shoqërinë time e kam kryesisht të veshur me kollarë.

Elia Zaharia: Ne të dy, kur bëjmë festa të përbashkëta, çdo vit kemi bërë nga një festë me miqtë. Ky vit ka qenë ndryshe sepse kemi pasur një koncert ku kemi ftuar Rona Nishliun dhe Genti Rushin. Por gjithmonë i kemi ndarë Krishtlindjet me miqtë dhe dallohen miqtë e princit dhe të mitë.

Kozeta Turishta: Kush gatuan për miqtë?

Elia Zaharia: Përgjithësisht kur ka shumë praktikojmë atë që secili sjell apo kontribuon në festë, qoftë pijet apo ëmbëlsirat që shoqërojnë koktejlet.

Kozeta Turishta: Elia, ju si e keni raportin me gatimin?

Elia Zaharia: Unë kam jetuar vetëm për shumë kohë, kur isha në Francë nuk kisha kohë të merresha me gatimin, kështu që nuk e kam shijuar ndonjëherë. Kam pasur një periudhë ëmbëlsirash para disa vitesh sepse një shoqja ime bëri një libër ëmbëlsirash dhe ai ishte viti rozë me ushqimin. Pjesën tjetër pastaj ia lë princit.


Kozeta Turishta: Po princit i pëlqen të gatuajë
?

Princ Leka: Po, më pëlqen të gatuaj për ne të dy. Kur kam kohë, natyrisht. Është bërë një hobi për shkak se Elia nuk është shumë e talentuar në fushën e kuzhinës. Por në periudhën e ëmbëlsirave ishim shumë të lumtur.

Elia Zaharia: Po, po. E mbaj mend që bëmë një cheasecake dhe pasi e nxorra nga furra e lash të ftohej. Kam kaluar 10 minuta në anën tjetër të shtëpisë dhe kur u ktheva ishte zhdukur.

Princ Leka: E ekzagjeron pak Elia. Në Shqipëri kemi shumë talente, ka shumë restorante me kuzhinierë ekspertë që mund të mos i gjejmë në qytete të tjera evropiane. Por unë kam pasur përshtypjen se gatimi në shtëpi të shijon më shumë.

Kozeta Turishta: Princ Leka, çfarë ju mungon nga jeta e mëparshme?

Princ Leka: Kam shumë vite që nuk kam vizituar Afrikën e Jugut dhe kam kujtimet e jetës familjare atje, bashkë me babain dhe gjyshin. Sidomos në këtë periudhë kujtoj kohën kur kam qenë i vogël. Por e ndjej veten shumë mirë në Shqipëri dhe bashkë me Eliën kemi pasur mundësi për të krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme.

Kozeta Turishta: Megjithatë, kujtimet e asaj kohe mund të mos i zëvendësojë asgjë tjetër

Princ Leka: Çdo person kalon faza të ndryshme në jetë. Atëherë isha në Afrikën e Jugut dhe sot jemi në një fazë tjetër, duke parë për të ardhmen dhe duke realizuar projekte të prekshme, duke krijuar një balancë mes jetës familjare dhe punës së përditshme, pasi familja mbretërore është gjithmonë në sytë e publikut. Gjithmonë do të jesh i paragjykuar në shumë drejtime, por duhet të jemi në kontekstin e kohës dhe të sigurt për të krijuar një produkt pozitiv.

Kozeta Turishta: Po flisnim për njerëz të ndryshëm që kanë kureshtje të vizitojnë oborrin mbretëror dhe rezidencën

Princ Leka: Ne kemi një projekt për vitin tjetër për të hapur rezidencën për publikun, një lloj muzeu privat që tregon disa koleksione që kemi. Kemi koleksionin e Ademit Frashërit, që tregon historinë e shtetit shqiptar. Kemi koleksionin e vjetër të armëve, që ka qenë i Mbretit Leka, si dhe pjesë të trashëgimisë, për të siguruar që historia e mbretërisë të jetë pjesë e historisë dhe të jetë e prekshme, pasi ka pasur vlerat e saj.

Kozeta Turishta: Doja të dinim nëse do ketë një dasmë mbretërore në Shqipëri

Elia Zaharia: Sidomos pas fjalëve të fundit në median e shkruar. (I drejtohet princit) Duhet ta sqarosh ti ketë pjesë sepse ti e ke hedhur bombën.

Princ Leka: Nuk e kemi përcaktuar datën. Unë do kisha shumë dëshirë që nëse do të bëhej, dasma të bëhej në shtator. Ndoshta është e lidhur me shumë data historike, por është edhe jashtë sezonit të dasmave. Është fundi i verës, një periudhë e qetë. Por nëse do marrim një vendim do të jetë 6 muaj përpara.

Elia Zaharia: Para 6 muajsh shpallet data, por nuk ka një datë.

Princ Leka: Të jemi të qartë, nuk ka asnjë datë.

Kozeta Turishta: Pra, nuk do ketë dasmë?

Elia Zaharia: Nuk është përcaktuar, por duhet 6 muaj përpara sepse ka shumë përgatitje protokollare, sidomos për të ftuarit jashtë Shqipërisë.

Kozeta Turishta: Keni menduar ndonjë detaj? Të gjitha vajzat e kanë ëndërr dasmën

Elia Zaharia: Në rastin tim personal nuk ka të bëjë me ëndrrën. Por e shoh si një projekt më vete, sepse duhet të jetë e mirëmenduar. Edhe media ndërkombëtare ka shfaqur interes për ta pasqyruar dhe për ne do jetë një sfidë për të bërë një pasqyrë të traditave dhe kulturës sonë dhe për të promovuar sa më shumë Shqipërinë. Sepse në momentin që do të flitet për një event është përgjegjësia jonë që të përfaqësojmë sa më mirë vendin tonë. Mbreti zog pati një dasmë mbretërore sepse ishte në fron dhe pati mundësinë të pasqyronte mënyrën më të denjë të mundshme të realitetit shqiptar. Ishte një kohë kur media ndërkombëtare pasqyroi çdo gjë për jetën në Shqipëri. Unë shpresoj se në kontekstin e kohës sonë ne do të bëjmë më të mirën.

Kozeta Turishta: Ishte një dasmë e cila pati gjithë vëmendjen e përkushtimn e mediave ndërkombëtare

Princ Leka: Në prill Mbreti Zog pati një dasmë me rreth 350 të ftuar, ndërsa pjesa tjetër ka pasur edhe 150 dasma të tjera, 50 të financuara nga familja mbretërore dhe 100 nga komunat e shtetit shqiptar për familjet në nevojë në të njëjtën ditë. Ajo që ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve nga ajo ditë ka qenë atmosfera e të gjitha dasmave, sepse dasma mbretërore ka qenë shumë mirë e publikuar, por sipas kontestit social të mbretërisë. Ndërsa unë dhe Elia kemi dëshirë të promovojmë sa më shumë Shqipërinë, por duam edhe të jetë diçka e thjeshtë e personale.

Kozeta Turishta: Pra, nuk do jetë një dasmë e madhe?

Elia Zaharia: Do jetë një dasmë protokollare, por ne të dy do kemi edhe diçka tonën me miqtë dhe të afërmit që të festojmë në mënyrë tradicionale.

Kozeta Turishta: Fejesa juaj u bë në Paris

Elia Zaharia: Po dhe shumë miq e të afërm na pyetën përse, sepse është larg. Ne kemi pasur një fejesë tradicionale në Shqipëri dhe bëmë shkëmbimin e kafeve. Pastaj në Paris ishte shumë e rëndësishme për mua pasi jetoja atje prej 10 vjetësh. Ishte një ceremoni në të cilën u ndava me miqtë e mi, me të cilët kisha kaluar shumë vite. Ndërsa edhe familja e princit ka shumë miq në Francë.

Kozeta Turishta: Ndoshta është herët të flasim se si Elia e imagjinon veten e saj me të bardha?

Elia Zaharia: Unë nuk e kam imagjinuar kurrë veten me të bardha. Por megjithatë fustani padyshim që do jetë i bardhë, por edhe i ndërthurur me elementë tradicionalë shqiptarë.

Kozeta Turishta: Princ Leka, po me njerëzit që keni nga ana e nënës dhe babait takoheni shpesh?

Princ Leka: Takohemi shumë shpesh. Sapo kemi pasur vizitën e tezes sime, sepse dajat dhe tezet i kam në Australi, si dhe të familjeve që jetojnë në Francë, në Paris. Duke qenë më afër, unë shkoj atje dhe ata vijnë këtu. Kemi Skënder Zogun dhe motrën e Mbretëreshës Geraldinë që jeton në Marsejë, si dhe djalin e saj në Bruksel, që punon në Parlamentin Evropian. Jemi shpesh në kontakt. Principet e familjes janë me shumë rëndësi dhe gjithnjë kam pasur dëshirë të ruajmë kontaktet. Këtu në Shqipëri kemi kushërinj të largët, por i mbajmë lidhjet.

Kozeta Turishta: Pra, është një raport i mirë. Edhe për Elian besoj?

Elia Zaharia: Po, pa tjetër.

Kozeta Turishta: Elia, po shoh me vëmendje veshjen tënde. Një veshje e fisme, një kostum?

Elia Zaharia: Është pjesë e veshjes tradicionale shqiptare, i përket zonës së Gurit të Bardhë të Matit. Mua më pëlqejnë këto veshje dhe më pëlqen t’i promovoj edhe kur jam jashtë Shqipërisë. Më vjen mirë se shoh një interesim edhe të brezit të ri. Kjo është pasaporta më e mirë. E gjithë bota e bën këtë edhe pse nuk ka një folk kaq të pasur sa ne.

Kozeta Turishta: Elia, po flisnim për aktivitetet tuaja jashtë Shqipërisë, me familjet e tjera mbretërore. Si janë marrëdhëniet me këto familje?

Elia Zaharia: Ruajmë raportet me familjet që kanë miqësi të vjetër me familjen e Princ Lekës dhe ndërtojmë marrëdhënie të reja. Viti 2014 ka qenë i pasur me vizita në këto familje. E fundit ishte në familjen mbretërore rumune, ku patëm një javë shumë aktive me Princesh Margaretën dhe princërit Radun dhe Nikolai, që na vizitoi edhe në Shqipëri. Janë takime interesante sepse çdo familje sjell historinë e saj dhe të vendit nga vjen. Familjet e rajonit kanë pasur të njëjtin fat pas Luftës së Dytë Botërore. Këto familje janë bashkuar edhe në ekzil dhe kur kthehen në vendet e tyre secili ka eksperiencën e vetë. Familja mbretërore rumune është shumë e angazhuar në anën sociale dhe unë besoj se do të kemi bashkëpunim me fondacionin tonë.

Kozeta Turishta: Princ Leka, a janë familjet e tjera të interesuara të dinë historinë e Shqipërisë?

Princ Leka: Po, janë shumë të interesuara. Në këtë moment Elia dhe unë jemi në vëmendje të familjes, sepse deri tani nuk kemi pasur shumë kontakte. Babai im ka qenë i fokusuar për situatën në Shqipëri, ndërsa unë punoj që të ruaj kontaktet. Në këtë moment ka një kuriozitet për familjen shqiptare. Aktualisht po punoj që të mbaj lidhjet, të marr këshilla, etj. Familja rumune për shembull është shumë e angazhuar në shoqërinë rumune, bashkëpunon me shtetin dhe besoj se në këtë mënyrë ne mund të marrim disa shembuj pozitivë. Mbajmë lidhje me Princin Nikolai të Malit të Zi, që ka statusin që njihet nga shteti. Dhe besoj se këtu janë disa referenca të afërta me situatën tonë në Shqipëri. Por, secili ka pasur politikë të ndryshme dhe histori të ndryshme. Ne kemi qenë një familje e fokusuar në situatën e brendshme dhe sot po krijojmë atë balancim të rolit të familjes mbretërore, duke qenë më pranë shoqërisë sonë.

Elia Zaharia: Vizita e fundit e Princ Lekës ka qenë në Itali, ku është Shoqata e Familjeve historike italiane dhe evropiane dhe ai u bë anëtar nderi. Iu dha titulli nga princesha e Habsburgëve. Është dëshira për të thelluar njohjet dhe është me rëndësi sepse këto gjëra gjejnë pasqyrim mediatik dhe pasqyrojnë traditat e Shqipërisë.

Kozeta Turishta: Elia, kush nuk do ëndërronte që të ishte princeshë. Ju si ndiheni në këtë botë, pavarësisht se ne e dimë që ju jeni njerëz të zakonshëm, të thjeshtë dhe me këmbë në tokë?

Elia Zaharia: Varet se si e ëndërrojnë, si e kuptojnë të qenit princeshë. Nuk besoj se ëndrra e të qënit princeshë është ajo që nuk përkthehet në detyra. Kur ne ëndërrojmë për të qenë princeshë ëndërrojmë për luksin e udhëtimet, ndërsa punën e injorojmë. Për mua është e rëndësishme për të punuar për promovimin e vlerave dhe traditave tona. Pastaj, të qenurit publik ka edhe të këqijat e veta. Mungesa e privatësisë, anonimati, është ajo që mua më mungon më shumë. Në Paris e kam ndjerë anonimatin më shumë se kudo, sepse je si një pikë uji në oqean. Unë e kam dashur intimitetin tim, ndaj dhe këtë status përpiqem që ta kthej në punë për komunitetin, për të udhëtuar, për t’u njohur me problematikat e vendeve.

Kozeta Turishta: Viti 2015 si do jetë për ju?

Elia Zaharia: Shumë punë, prap.

Princ Leka: Besoj se do kemi më shumë punë. 2014-a ka qenë një periudhë prove, sepse kishim mundësi të liroheshim nga detyrimet shtetërore për t’u fokusuar tek angazhimet mbretërore. Në 2015-n besoj se do të jemi më aktivë në aktivitete kulturore, do punojmë me ambasada të ndryshme, do ketë aktivitete jashtë Shqipërisë dhe do vazhdoj me Eliën vizitat në çdo qytet e fshat, duke mbajtur kontakte e duke krijuar marrëdhënie me familje të ndryshme shqiptare.

Kozeta Turishta: Një mesazh për shqiptarët?

Princ Leka: Do të doja të uroja të gjithë shqiptarët, Gëzuar Vitin e Ri. Shpresojmë që 2015 do na sjellë fat dhe sukses. Shpresoj të mos shqetësohemi shumë për debatet politike që shpesh herë përçajnë shoqërinë, por të fokusohemi tek njerëzit dhe tek gjërat që na bashkojnë.

Elia Zaharia: Edhe sa më shumë dashuri për shqiptarët. Kjo është përgjigjia për shumë gjëra, që ta shohim njëri-tjetrin me filtra të çelët.

Kozeta Turishta: Princ Leka dhe Elia, unë ju falenderoj që më pritet mua dhe stafin tim.

Elia Zaharia: Kënaqësia është e jona. Mirëse erdhët dhe shtëpia jonë do të jetë gjithmonë edhe e juaja.

Top Channel