Rusi, Putin nënshkruan doktrinën e re ushtarake: NATO, rreziku kryesor

26/12/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një doktrinë të re ushtarake, në të cilën zgjerimi i NATO-s është konsideruar si një prej rreziqeve më të mëdha të jashtme, bëri të ditur Kremlini këtë të premte, vetëm pak ditë pasi Ukraina hodhi hapat e radhës për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të Atlentikut Verior.

Doktrina e vjetër ushtarake e Moskës, e nënshkruar nga Putini në vitin 2010, e identifikonte gjithashtu zgjerimin e NATO-s si një prej rreziqeve kryesore ndaj Rusisë, por tashmë ky rrezik ka prekur majat më të larta për shkak të përplasjeve të këtij viti që po lëmë pas.

Rusia deklaroi më herët gjatë kësaj jave se NATO po e kthen Ukrainën në një “front të konfrontimit” dhe kërcënoi se do të përkeqësojë edhe ato pak marrëdhënie të mbetura mes tyre, nëse shpresat e Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s do të realizoheshin.

Parlamenti i Kievit votoi më herët për të hequr dorë nga statusi neutral i Ukrainës, ditën e martë, duke i hapur kështu dyert anëtarësimit në NATO, gjë që ka irrituar së tepërmi Moskën dhe thelloi atë që tashmë konsiderohet si konfrontimi më i thellë mes Rusisë dhe Perëndimit që prej fundit të Luftës së Ftohtë, gjë që nisi me aneksimin e Krimesë nga Moska në fillim të 2014-s.

NATO ka forcuar gjithashtu praninë ushtarake të saj në vendet e Europës Lindore këtë vit, duke thënë se ka prova të mjaftueshme që tregojnë se Rusia ka orkestruar rebelimin e armatosur të prorusëve në lindje të Ukrainës, pas rrëzimit të Presidentit Yanukovych të mbështetur nga Kremlini, në Kiev.

Ajo që dihet është se do të duhen disa vite për Ukrainën, që të përmbushë kriteret teknike të anëtarësimit në NATO por, deri atëherë, nuk ka asnjë siguri nëse aleanca është e gatshme të ndërmarrë një vendim të tillë. Një zyrtar i NATO-s tha të premten se aleanca respekton lëvizjen e bërë nga Parlamenti i Ukrainës, gjë të cilën duhet ta respektojë edhe Rusia.

“Nëse Ukraina do të vendosë të aplikojë për anëtarësim në NATO, aleanca do të vlerësojë gatishmërinë e Kievit për t’iu bashkuar asaj, në të njëjtën mënyrë siç ka bërë edhe me kandidatë të tjerë në të kaluarën. Kjo është një çështje mes NATO-s dhe vendeve individuale që aspirojnë të anëtarësohen në të”.

Top Channel