Ukraina shkëmben të burgosur me rebelët në Donjeck

26/12/2014 00:00

Rebelët prorusë në lindje të Ukrainës kanë shkëmbyer dhjetëra të burgosur me qeverinë ukrainase pranë qytetit të kontrolluar prej tyre, Donjeck. Janë shkëmbyer 150 ushtarë ukrainas për 225 separatistë të mbajtur deri më tani prej forcave qeveritare.

Me këtë veprim, duket se shumica e pengjeve janë këmbyer, ndërsa ata pak që kanë mbetur priten të lirohen gjatë së shtunës. Ndërkohë, Ukraina ka “ngrirë” lidhjet jetësore me autobusë dhe ato hekurudhore me Krimenë, rajonin jugor të saj të aneksuar nga Rusia në mars të këtij viti.

Në një tjetër zhvillim, dy nga kompanitë më të mëdha në botë të kartave të debitit dhe kreditit, Visa dhe Mastercard, kanë njoftuar këtë të premte se nuk do të mbështesin më kartat bankare të përdorura në Krime, pas sanksioneve më të fundit të vendosura nga Shtetet e Bashkuara këtë muaj.

Lëvizja e fundit vjen pikërisht në momentin më tradicional të festave të fundvitit, në një rajon ku popullsia lëviz së tepërmi për t’u bashkuar me familjet për Vitin e Ri.

Bisedime jo frytdhënëse janë mbajtur këtë javë në Minsk të Bjellorusisë, për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës, gjatë së cilit kanë vdekur mbi 4700 njerëz. Edhe pse luftimet janë zbehur disi, konflikti vazhdon dhe më shumë se 1300 persona kanë vdekur vetëm pas armëpushimit të shpallur në shtator.

Top Channel