Dëbora, probleme në rrugët malore, kalohet me zinxhirë

27/12/2014 00:00

Reshjet e dendura të dëborës kanë mbuluar shumë qytete të vendit. Në qarkun e Dibrës dëbora në zonat urbane ka shkuar deri në 5 centimetra, ndërsa në zonat malore dhe në komunat e Lurës, Kalasë së Dodës dhe Luznit, reshjet e dëborës kanë shkuar deri në 15 centimetra.

Rrugët nacionale që lidhin komunat me qendrat e rretheve Peshkopi, Bulqizë dhe Mat, momentalisht janë të kalueshme me zinxhir pasi në shumë segmente ka prani të akullit në rrugë. Burime nga policia bëjnë me dije se janë shtuar kontrollet për lëvizjen e automjeteve përgjatë gjithë natës dhe ditës së sotme, ku drejtuesve të automjeteve u është kërkuar përdorimi i zinxhirëve.

Edhe në Korçë, reshjet e dëborës kanë arritur deri në 20 centimetra. Sipas të dhënave, në aksin nacional Pogradec-Qafë Thanë trashësia e reshjeve të borës ka arritur deri në 10 cm, por nuk ka krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Reshje të dendura dëbore ka patur edhe në Rrugën e Kombit nga Fushë-Dukagjini deri në hyrje të Tunelit të Kalimashit si dhe në disa pjesë të segmentit Kukës-Morinë.

Përgjatë këtyre dy segmenteve, kompania mirëmbajtëse ka nxjerrë në terren 8 mjete borëpastruese për hedhjen e kripës, ndërsa rruga po patrullohet nga 4 njësi të Policisë Rrugore që apelon që të gjithë drejtuesit e automjeteve të jenë të pajisur me pajisjet dimërore.

Top Channel